Skip to main content

Bashkia e qytetit të Gramshit, në bashkëpunim me Këndin e BE së kësaj bashkie, organizuan në këtë qytet aktivitetin me titull : “Turizmi, një mundësi e mirë për zhvillimin e Gramshit”. 

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte përfshirja e komunitetit si dhe e grupeve të interesit, kryesisht sipermarrjet e fermerëve dhe agro bzinesit, në një debat specifik në lidhje me zhvillimin e turizmit në Bashkinë Gramsh. 

Takimi u hap nga Znj Luljeta Dollani, Kryetare Bashkisë Gramsh, e cila theksoi në fjalën e saj se bashkia e qytetit është në dispozicion të çdo nisme të ndërmarrë apo që do të ndërmerret në të ardhmen nga grupet e interesit, duke vendosur në dispozicion të tyre të gjitha mundësitë e kësaj bashkie.

Në takim mori pesë edhe Z. Kai Nagel, Përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Shqipëri i cili vuri theksin në fjalën e tij tek kujdesi që duhet te tregohet nga sipërmarrësit në fushën e agro turizmit për ruajtjen e biodiversitetit dhe monumenteve natyrore të zonës. 

Më pas, Z.Grigor Gjeçi , Drejtor i Politikave të Zhvillimit Rural, Drejtues i Autoritetit Menaxhues Programi IPARD, pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ofroi për të pranishmit një informacion të plotë mbi mbështetjen e ofruar për prodhuesit vendas dhe fermerët përmes programit IPARD i financuar nga Bashkimi Europian,si dhe shpjegoi procedurat e aplikimit në këtë program. 

Më pas takimi vijoi me një debat të hapur midis panelistëve dhe grupeve të interesit ( fermerë dhe biznese të agro turizmit) që punojnë në zonën e Gramshit.

Takimi u mbyll me disa vizita në zonat më tërheqëse turistike të qytetit të Gramsh.