Projekti “Bashkitë për në Evropë” dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) zhvilluan në datën 21 tetor, një takim të frytshëm me përfaqësuesit e këshillave bashkiake, në kuadër të përpjekjeve për fuqizimin e pushtetit lokal në procesin e integrimit. Këto takime kanë për qëllim ngritjen dhe fuqizimin e komisioneve të integrimit në këshillat bashkiakë, një hap i rëndësishëm për të plotësuar kërkesat e Komisionit Evropian për strukturat e BE-së në nivel vendor.
Jolanda Trebicka, Drejtore e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, theksoi rëndësinë e komisioneve të integrimit si pjesë kyçe e angazhimit të këshillave bashkiake, për përgatitjen për procesin e negociatave.
Marsela Maçi, Drejtore e Integrimit Evropian në AMVV, nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë mes nivelit qendror dhe lokal për të siguruar që financimet nga BE të përkthehen në zhvillim konkret të komuniteteve.
Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, ftoi për një përfshirje sa më të gjerë të këshillave bashkiake, duke pasur parasysh se integrimi evropian është një proces që kërkon përkushtim nga të gjithë aktorët.
Ekspertja kroate Maja Hraniloviç ndau përvojën e vendit të saj si anëtari më i ri i BE-së, duke sjellë gjithashtu një prezantim mbi politikat e kohezionit.
Bashkitë shqiptare kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë proces, dhe fuqizimi i tyre është i domosdoshëm, për ta çuar Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE.
Shkodër
Ndalesa e radhës e takimeve të organizuara nga “Bashkitë për në Evropë” dhe AMVV, ishte në qytetin e Shkodrës. Përfaqësuesit e këshillave bashkiake ishin pjesë ë këtij takimi, synimi i të cilit ishte përforcimi i rolit të pushtetit lokal në procesin e integrimit evropian.
Përfaqësuesja e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Znj. Alesia Markuci vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes niveleve qendrore dhe lokale për të siguruar që fondet e BE-së të kthehen në zhvillim konkret për komunitetet lokale.
Znj. Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, u bëri thirrje të pranishmëve që të kontribuojnë për një angazhim sa më konkret, me qëllim krijimin e një sinergjie ma administratën lokale, pasi një pjesë shumë e madhe e legjislacionit që lidhet me integrimin në Bashkimin Evropian do të zbatohet në nivel lokal.
Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, Znj. Jolanda Trebicka, pasi ka bërë një ekspoze të punës së derisotme të projektit “Bashkitë për në Evropë”, veçanërisht në procesin e institucionalizimit të Njësive të Integrimit Evropian dhe rritjes së ndërgjegjësimit në nivel vendor, është shprehur se administrata lokale dhe gjithashtu këshillat bashkiake kanë një rol shumë specifik dhe me peshë për të luajtur, veçanërisht tani me nisjen e procesit të negociatave.
Ekspertja kroate Maja Hraniloviç ndau përvojën e Kroacisë si vendi më i ri anëtar i BE-së, duke prezantuar gjithashtu një përmbledhje mbi politikat e kohezionit.
Takimi është përshëndetur dhe moderuar nga drejtuesja e Njësisë së Integrimit Evropian në Bashkinë e Shkodrës.