Skip to main content

Ditën e premte, në datë 11 Tetor 2024 u zhvillua Workshop-i për vlerësimin e kapaciteteve institucionale të Njësive të Integrimit Evropian në 61 bashkitë e Shqipërisë, i organizuar nga Departamenti i Politikave dhe Integrimit në BE në rolin e Sekretariatit të Integrimit Evropian pranë Kryeministrisë, me mbështetjen e projektit Bashkitë për në Evropë dhe në koordinimim me Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Znj. Marie Augoy, Menaxhere Programi pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ka vënë edhe një herë në dukje faktin tejet domethënës që, 70 përqind e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel lokal. Për këtë arsye, ka shtuar ajo “bashkëpunimi midis qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal merr një rëndësi jetike”. Më tej, Znj. Augoy ka vlerësuar punën e bërë nga Departamenti i Politikave dhe Integrimit në BE pranë Kryeministrisë, dhe në mënyrë të veçantë nga ekipi negociator.
Vetë drejtoresha e Departamentit, Znj. Evis Qaja ka theksuar edhe ajo domosdoshmërinë e një sinergjie mes organeve qendrore dhe atyre lokale, për sa i përket ecurisë së procesit të integrimit.
Pasi ka përgëzuar ekipin e projektit “Bashkitë për në Evropë”, ajo ka shprehur se një hap i parë i domosdoshëm për vazhdimësinë e punës është krijimi i një rrjeti të përbashkët mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal, me fokus integrimin evropian. 
Sipas saj, pyetësori i prezantuar në Workshop do të duhet të ndiqet me seriozitet maksimal edhe nga ana e stafeve të bashkive, dhe do të vlerësojë pikat e forta dhe sfidat si dhe të identifikojë fushat ku ka nevojë për përmirësim, me qëllim rritjen e efiçencës dhe efektivitetit të përpjekjeve për integrimin evropian në nivel lokal.
Drejtuesja e projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, duke u ndalur sërish tek pyetësori, tha se “nga ky ushtrim do të kuptojmë se sa janë zbatuar rekomandimet e pushtetit qendror nga ana e kryetarëve të bashkive. Vetë qeverisja qendrore i ka dhënë shumë rëndësi strukturave të integrimit, dhe tashmë do të duhet të kuptohet sa i kanë dhënë kryetarët dhe çfarë masash duhet të merren në të ardhmen në këtë drejtim”. Sipas Znj. Trebicka, “do të nevojiten ndryshime strukturore dhe do ndryshohet 50% mënyra si operojnë organet e pushtetit vendor. Për këtë arsye, ndërgjegjësimi duhet të jetë në nivelin e kryetarëve”.
Ekspertja që do të ndjekë këtë proces vlerësimi, Znj. Nadia Rusi ka bërë një prezantim të metodologjisë që do të përdoret. Sipas saj, “nga 23 kapituj, një pjesë domethënëse e kanë njësitë vendore, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm sa i përket zbatimit”. Znj. Rusi tha se “ne do të bëjmë një vlerësim të gjendjes aktuale, cilat janë pikat e dobëta apo sfidat me të cilat ato përballen, rekomandimet që do të duhet të merren në konsideratë etj.”
Tre do të jenë kriteret mbi të cilat është zbatuar ky proces: 1. Vlerësimi i gatishmërisë dhe kapaciteteve. 2. Identifikimi i mangësive dhe sfidave 3. Dhënia e rekomandimeve për çfarë mund të ndryshohet në të ardhmen.