Roli i pazëvendësueshëm që luajnë Këshillat Bashkiakë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe ngritja e Komisioneve të Integrimit Evropian, nën shembullin e suksesshëm të Njësive të Integrimit Evropian
Me iniciativë të projektit “Bashkitë për në Evropë” dhe me bashkëpunimin e ngushtë të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore si dhe Shoqatës për Autonomi Vendore, është zhvilluar një seri takimesh me fokus, rolin e rëndësishëm që luajnë Këshillat Bashkiakë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe posaçërisht ngritjen e Komisioneve të Integrimit Evropian pranë këtyre këshillave.
Formati i takimeve ka qenë me praninë e përfaqësuesve të projekteve, institucioneve qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile të sipërpërmendura, si dhe me praninë e përfaqësuesve të këshillave bashkiake në bashkitë e qarqeve respektive.
Berat
Në takimin e zhvilluar në Hotel “Colombo” në Berat, në datën 20 Maj 2024, ekipi i projektit “Bashkitë për në Evropë”, drejtuar nga Znj. Jolanda Trebicka, së bashku me Znj. Adelina Farrici, Znj. Adelina Farici, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore dhe përfaqësues nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, kanë diskutuar me të pranishmit, përfaqësues të Këshillave Bashkiake të bashkive që bëjnë pjesë në qarkun e Beratit, posaçërisht mbi procesin e ngritjes së Komisioneve të Integrimit Evropian në këto këshilla, si instrumenta që do të shërbejnë për një ndërveprim sa më të mirë të veprimeve mes Këshillave Bashkiake dhe vetë institucioneve lokale, për çështjet që lidhen me Integrimin e Shqipërisë në BE.
Znj. Trebicka është ndalur tek “Roli i bashkive në procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE dhe mbështetjen që ka dhënë Bashkimi Evropian, lidhur me zhvillimin ekonomik dhe social në nivel vendor”.
Ndërkohë Znj. Farrici është ndalur në mënyrë konkrete, tek veprimet apo masat konkrete që duhet të zbatohen nga ana e vetë këshillave bashkiake, për të bërë të mundur një rol sa më konkret dhe proaktiv të tyre, në këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë.
Një sqarim të hollësishëm të fondeve dhe politikave të kohezionit të Bashkimit Evropian ka bërë nëpërmjet prezantimit të saj, Znj. Maja Hranilović, eksperte nga Kroacia, e cila bashkëpunon prej kohësh me projektin “Bashkitë për në Evropë.
Gjirokastër
Në datën 21 Maj 2024, në Hotel “Çajupi”, Gjirokastër, Projekti “Bashkitë për në Evropë” në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Shoqatën për Autonomi Vendore, ka vijuar takimet e nisura në qarkun e Beratit.
Takimi është organizuar me përfaqësues të Këshillave Bashkiake, si edhe komisioneve të integrimit evropian në këshillat bashkiake të qarkut, dhe në të është diskutuar roli i tyre, dhe posaçërisht i Njësive të Integrimit Evropian dhe tashmë edhe Komisioneve të Integrimit Evropian në këto Këshilla, në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Z. Stiljan Llavdaniti ka folur mbi punën që po bën Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, sa i përket ristrukturimit por edhe përgatitjes së legjislacionit për sa i përket strukturave të integrimit në organet e qeverisjes vendore, me qëllim që to t’i përgjigjen sa më mirë kësaj faze të re në të cilën ka hyrë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mbi “Procesin e integrimit në BE, si një mundësi unike për të modernizuar administratat vendore”, ka mbajtur një prezantim Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”.
Znj. Maja Hraniloviç, eksperte me shumë eksperiencë në çështjet e integrimit, nga Kroacia, ka diskutuar për rolin e zyrtarëve të zgjedhur në negociatat e lidhura me Kapitullin 22, ndërkohë që Znj. Adelina Farici, drejtore ekzekutive e shoqatës për autonomi vendore, ka folur për hapat konkretë që duhet të ndërmerren, për të patur një angazhim më të madh të këshillave bashkiake në procesin e integrimit.
Vlorë
Takimet e projektit “Bashkitë për në Evropë” dhe Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, kanë vazhduar në 22 maj në Hotel “Regina City”, në qytetin e Vlorës.
Julian Uzeir, përgjegjës sektori pranë Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore ka bërë një prezantim të asaj që po ndodh në këtë fazë ristrukturimi, si dhe u ka paraprirë ndryshimeve që pritet të ndodhin sa u përket kompetencave dhe strukturave të njësive të integrimit evropian. Po kështu, ka diskutuar në lidhje me çështje të tilla si Akademia për Pushtetin Vendor, këshillat vendore dhe komisionet e integrimit pranë tyre etj.
Duke u nisur nga fakti që 70 përqind e legjislacionit të BE zbatohet në nivel vendor, drejtuesja e Projektit, Znj. Jolanda Trebicka ka diskutuar mbi rolin që bashkitë e Shqipërisë duhet të luajnë në procesin e integrimit evropian, si edhe ka bërë një rezyme e bashkëpunimit të derisotëm me projektin “Bashkitë për në Evropë”, që nga ngritja e strukturave të integrimit evropian (Njësitë e Integrimit Evropian) në bashki, tek institucionalizimi i tyre dhe deri tek shndërrimi i tyre në motorrë të vërtetë të përpjekjeve të pushtetit lokal dhe kontributit të tij për integrimin e Shqipërisë.
Znj. Adelina Farici, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore ka folur në lidhje me komponentët që përbëjnë të tërën, sa i përket atij që quhet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE: pushteti ekzekutiv, pushteti legjislativ, procesi screening, draft ligjet, konsultimet me qeverisjen lokale si një pjesë shumë e rëndësishme. Ajo është ndalur edhe tek ndikimi që Acquis i Bashkimit Evropian ka në nivel lokal, si edhe sfidat e zbatimit të këtij legjislacioni, apo edhe qasja në fondet e BE-së.
Ekspertja nga Kroacia, Maja Hranilović ka ofruar shembuj konkretë nga përvoja e vendit të saj dhe nga ekspertiza e saj personale, kur flitet për zhvillimin e ekuilibruar si edhe forcimin e kohezionit ekonomik, social dhe territorial. Ajo ka folur për përpjekjet që bën BE për reduktimin e pabarazive ndërmjet rajoneve, si edhe instrumentat mbështetës që ajo përdor, si: ERDF, Fondi social Europian Plus, CF, fondi Europian i Detit dhe Peshkimit, Fondi i tranzicionit të drejtë etj.
Fier
Në datën 23 Maj 2024, në “Hotel Fieri”, Projekti “Bashkitë për në Evropë”, në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Shoqatën për Autonomi Vendore, kanë vijuar takimet në qendrat e qarqeve, me Komisionet e Integrimit Evropian në Këshillat Bashkiakë të bashkive që janë pjesë e qarkut të Fierit.
Pas përshëndetjes së bërë nga përfaqësuesja e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Znj. Uarda Myftaraj, dhe fokusit që ajo vendosi tek një harmonizim sa më i mirë i veprimeve mes organeve të qeverisjes vendore dhe atyre të qeverisjes lokale, si dhe rolit të rëndësishëm që AMVV ka në këtë proces, drejtuesja e projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka u ka prezantuar të pranishmëve rolin e bashkive në procesin e integrimit në BE, si dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian jep për zhvillimin ekonomik e social në nivel vendor.
Ekspertja kroate, Znj. Maja Hranilović ka bërë një prezantim mbi fondet dhe politikat e kohezionit të Bashkimit Evropian, si dhe kontributin dhe përfitimet që ka qeverisja vendore.
Znj. Adelina Farici, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore, ka prezantuar hapat që duhen ndërmarrë për të siguruar angazhimin e këshillave bashkiake në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Elbasan
Grupi i parë i takimeve të organizuara nga projekti “Bashkitë për në Evropë”, në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore është përmbyllur në datën 24 Maj, në Hotel “Imperial”, me përfaqësuesit e këshillave bashkiake të institucioneve vendore që janë pjesë e qarkut të Elbasanit.
Përfaqësuesi i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Geri Çabiri, ka bërë një prezantim të punës së këtij institucioni, dhe sidomos sfidave që janë përpara, në funksion të një harmonizimi sa më të mirë të veprimeve mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.
Znj. Adelina Farrici ka prezantuar instrumentat dhe hapat konkrete, që u takojnë të ndërmarrin institucionet e qeverisjes lokale dhe posaçërisht këshillat bashkiak, për të patur një harmonim sa më të mirë të veprimeve me bashkitë respektive, sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Një proces, siç tha ajo, i cili nuk mund të jetë kurrësesi i kufizuar vetëm në përpjekjet e pushtetit qendror, por kërkon domosdoshmërisht kontributin e organeve të pushtetit lokal. Dhe një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të duhet të luajnë këshillat bashkiake përmes instrumentave të tilla si komisionet e integrimit evropian që janë duke u krijuar.
Pasi bëri një rezyme të të gjithë procesit të ngritjes dhe institucionalizimit të njësive të integrimit evropian në të 61 bashkitë e Shqipërisë, dhe evoluimit të tyre si dhe shndërrimit në struktura të mirëfillta të hartimit dhe zbatimit të projekteve të fituara edhe falë kompetencave dhe aftësive të forcuara përgjatë kësaj periudhe dhe falë një bashkëpunimi të ngushtë me projektin “Bashkitë për në Evropë”, znj. Jolanda Trebicka u ka bërë jë prezantim të rolit të bashkive në integrimin evropian, duke u ndalur sidomos fakti që procesi i integrimit duhet të shihet si një mundësi unike, për të modernizuar administratat vendore, duke u bazuar tek parimet e qeverisjes së mirë.
Një vend që ka kaluar tashmë nëpër të gjitha këto procese, dhe eksperiencat që ai ka kirjuar, me të mirat që duhen adoptuar dhe të këqiat që duhen shmangur, ka qenë fokusi i prezantimit të bërë nga ekspertja nga Kroacia, Hranilović.