
Për dy ditë me radhë, “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, kanë organizuar sesionin e informimit mbi vlerësimin e performancës së bashkive, gjatë të cilit është prezantuar edhe raporti “Bashkitë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian - Vlerësimi i performancës 2021”.
Drejtori i Përgjithshëm i AMVV, Z. Arben Skënderi, duke folur për Raportin, u shpreh se “Ky është i vetmi vlerësim i rregullt që i bëhet zbatimit të axhendës së integrimit evropian në nivelin vendor. Për të qënë më të saktë ky është një vetë-vlerësim që ne i bëjmë arritjeve tona, pasqyra ku ne duhet të shohim veten tonë”, Sipas Z. Skënderi “kjo duhet të jetë një pasqyrë besnike e progresit që është bërë nga qeverisja vendore në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga axhenda e integrimit evropiane, por edhe e sfidave që bashkitë hasin në këtë proçes të rëndësishëm të rrugës drejt plotësimit të standarteve që kërkohen nga Marrëveshja e Stabilizim Associmit”.
Në përshëndetjen e saj, Znj. Marie Augouy, Menaxhere programi për Qeverisjen Rajonale dhe Lokale në Delegacionin e Bashkimit Evropian, e vuri theksin në rëndësinë që ka angazhimi i plotë i drejtuesve të bashkive, për të mbështetur punën koordinuese të stafeve të Njësive të Integrimit Evropian. “Projekti ka filluar tashmë edhe trajnimin e këtyre drejtuesve, dhe shpresojmë që kjo do të rrisë edhe angazhimin e tyre”, tha Znj. Augouy, duke shtuar se “Bashkimi Evropian po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje rritjes së asistencës për pushtetin vendor në Shqipëri”.
Në lidhje me indikatorët e vitit 2022, një informacion të detajuar mbi treguesit e rishikuar ka dhënë përgjegjësi i Sektorit të Zhvillimit në Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Stiljan Llavdaniti.
Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë” ka prezantuar problematikat e shfaqura dhe mësimet e nxjerra gjatë procesit të realizuar përgjatë vitit 2021, duke u ndalur konkretisht në performancën e bashkive në mbledhjen dhe raportimin e të dhënave, që shërbejnë si bazë për hartimin e raportit.
Po kështu, gjatë ditës së dytë të seancës së informimit, Znj. Trebicka ka bërë një prezantim të hollësishëm, shoqëruar me udhëzime konkrete të Sistemit të ri Elektronik të rregjistrimit të projekteve, që financohen nga donatorët e huaj.
Gjatë të dy ditëve të seancës së informimit, janë zhvilluar diskutime dhe seanca pyetje-përgjigjesh me drejtuesit dhe stafet e Njësive të Integrimit Evropian në 61 bashkitë e Shqipërisë, ndërkohë që dita e dytë është fokusuar në trajnimin e stafeve të reja.