“Vizitë mësimore në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja”
Për të festuar Ditën Evropiane të Gjuhëve, Njësia e Integrimit Evropian në Bashkinë Kuçovë, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe me mbështetjen e "Bashkitë për në Evropë", një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, organizuan një vizitë dhe turne mësimor, me nxënës të gjimnazit "5 Tetori", në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.
Studentët vizituan ambientet e Fakultetit, u njohën me programet e ofruara nga institucioni dhe morën pjesë në një leksion të hapur nga Prof. Andromaqi Haloçi me temë “Migrimi nga një gjuhë në tjetrën”, ku u vu theksi në vlerat e multilingualizmit, arsimit ndërkulturor që përcillen në kontekstin arsimor lokal, por edhe brenda kontekstit europian.
Gjithashtu Prof. Dr. Shpresa Delija foli para studentëve për domosdoshmërinë e mësimit të gjuhëve të huaja, dobinë në nivel personal dhe profesional dhe traditën e gjatë të Fakultetit në përgatitjen e mësuesve, përkthyesve dhe specialistëve të komunikimit ndërkulturor.
Studentët patën mundësinë të ndajnë eksperienca me bashkëmoshatarët e tyre të gjimnazit “Ernest Koliqi” në Tiranë dhe me studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja që kanë përfituar nga programet Erasmus+.