Skip to main content
Submitted by admin on 9 Maj 2019

SARANDE, 9 MAJ 2019 - Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj pranë Bashkisë Sarandë, në bashkëpunim me shkollat e mesme të qytetit të Sarandes, organizoi aktivitetin “Të njohim Evropën”.

Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga shkollat e mesme të Bashkisë SarandëAktiviteti kishte për qëllim sensibilizimin e të rinjve të qytetit për disa nga parimet dhe vlerat më të rëndësishme, që e dallojnë dhe e bëjnë unike Evropën e Bashkuar. 

Koordinatorja e Njësisë për Koordinimin e Integrimin Europian, bëri një panoramë të plotë mbi atë se çfarë është dhe çfarë përfaqëson Bashkimi Evropian. Përmes këtij aktiviteti, u përcollen tek të rinjtë e pranishëm parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon Bashkimi Evropian, si solidariteti, respekti, bashkimi në diversitet, angazhimi qytetar, vullnetarizmi etj.

Shqipëria ende nuk është anëtare e BE-se, por 9 Maji i sivjetëm është i veçantë për shqiptarët, pasi pritshmëritë janë që të hapen negociatat e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.

Po në këtë frymë, Bashkia e Sarandës është pjesë e veprimtarive dedikuar Javës Evropiane.

Me veprimtaritë që janë zhvilluar dhe do të vazhdojnë të zhvillohen këtë javë, në fokus do të jenë të rinjtë, si kategoria shoqërore më aktive dhe më përfituese nga procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. 

Në vijim, me të rinjtë e pranishëm u diskutua për historinë, gjeografinë dhe trashëgiminë kulturore të Evropës dhe Shqipërisë.

Në mbyllje të aktivitetit, të rinjtë prezantuan disa vizatime, që ishin një ilustrim me mjetet dhe me gjuhën e artit pamor, i historise së vendosjes së datës 9 Maj si Dita e Evropës, që është e lidhur me Samitin e Milanos më 1985. 

Vlen për t’u përmendur se të gjitha materialet e përdorura nga të rinjtë, ishin materiale të riciklueshme.