Skip to main content
Submitted by admin on 21 August 2019

LIBRAZHD, 9 MAJ 2019 - Në Ditën e Evropës, Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihma e Huaj pranë Bashkisë Librazhd në bashkëpunim me kabinetin e Kryetarit, organizuan takimin midis Bordit Rinor dhe Vendim-marrës e drejtorë në bashki.

Takimi u hap me një prezantim të përgatitur nga Koordinatorja e Bordit Rinor dhe Kabineti i Bashkisë, në lidhje me Bashkimin Evropian, demokracinë sociale dhe politikat për të rinjtë. Tematikë e rëndësishme ishte edhe zhvillimi i qëndrueshëm social parë në kornizën e pushtetit vendor.

Pas prezantimit u mbajt diskutimi i hapur, në formën e presantimit të projekt-ideve, sesi Bordi Rinor i ngritur me mbështetjen e Programit PLGP financuar nga USAID, e shihnin të ardhmen e qytetit të Librazhdit.

Të ndarë në 4 grupe, anëtarët e grupit prezantuan projektin e tyre me elemente të veçanta në të si psh: riciklimi i mbetjeve, kampuse studentore, zona industriale të lehta, kompani marketimi, rritja e gjelbërimit në qytet, përdorimi i energjisë elektrike alternative, shkolla profesionale dhe shërbime sociale për grupmosha të ndryshme dhe sesi e shikonin qytetin e tyre si pjesë të integrimit Evropian.

Në përfundim të secilit prezantim kishte një sesion pyetje përgjigje në lidhje me qytetin e prezantuar dhe cilat ishin zgjidhjet alternative që ofronin për përmirësimin e qytetit.

Përfaqësuesit e Bashkisë Librazhd, i vlerësuan idetë inovatore të sjella nga të rinjtë dhe ndanë me ta disa informacione të nevojshme sesi funksionon Bashkia dhe sa ndihmuese janë mendimet e sjella nga grupi i të rinjve.