Skip to main content

Njësia e Integrimit Evropian Sarandë në bashkëpunim me gjimnazin "Hasan Tahsini" kanë organizuar një aktivitet me nxënësit e kësaj shkolle, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre, mbi rreziqet që vijnë nga përdorimi i drogës.
"Droga dhe pasojat e saj tek të rinjtë", ishte tema e aktivitetit, gjatë të cilit të rinjtë janë informuar mbi aksionet që shtetet dhe shoqëritë në Bashkimin Evropian, ndërmarrin për të mbajtur të rinjtë larg prej përdorimit të substancave narkotike.
Fokusi tek aktivitetet kulturore dhe sportive, si dhe tek arti dhe zbulimi i talenteve, u identifikuan si mënyrat më të mira për të mos lejuar përhapjen e këtyre substancave mes të rinjve, dhe për të orientuar këta të fundit drejt aktiviteteve krijuese dhe argëtuese me bashkëmoshatarët e tyre.
Gjatë aktivitetit, nxënësit e pranishëm përgatitën postera të bazuar mbi temën ndërkohë që disa prej tyre ofruan mesazhe sensibilizuese për të pranishmit.
E pranishme ishte një përfaqësuese nga Drejtoria Policisë së Sarandës, si dhe një mjeke nga spitali “Petro Nako”, të cilat kanë shpjeguar problemet si ligjore, ashtu edhe shëndetësore që burojnë nga përdorimi i substancave të ndaluara.