Në datën 3 Maj, Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj pranë Bashkisë Elbasan në kuadër të Javës së Evropës, organizoi kupën e volejbollit për shkollën e bashkuar “Ibrahim Bozhiqi”, në fshatin Qafë të Njësisë Administrative Labinot Mal.
Koordinatori i Këndit të BE Elbasan, Erion Ibërshimi në bashkëpunim të ngushtë me mësuesin e edukimit fizik pranë kësaj shkolle, z. Mauro Zhupani arritën tw realizonin për herë të parë një aktivitet të këtij lloji në këtë shkollë. Ndeshjet eliminatore dhe gjysëmfinalet ishin zhvilluar më parë, dhe në këtë ditë u zhvilluan vetëm finalet e femrave dhe meshkujve. Ndeshjet u gjykuan nga lojtari profesionist i skuadrës së volejbollit të Elbasanit, z. Kozma Dulja. Ai gjithashtu ofroi eksperiencën e tij të vlefshme gjatë gjithë lojës mbi detaje tekniko-taktike të volejbollit.
Në përfundim të këtij aktiviteti të mundësuar nga projekti “Bashkitë për në Evropë”, u zhvillua dhe ceremonia simbolike e dhënies së kupës dhe medaljeve për fituesit e finaleve përkatëse. Gjithashtu, mësuesi i edukimit fizik në bashkëpunim me lojtarin profesionist të ekipit te volejbollit të Elbasanit seleksionuan 5 vajza dhe 5 djem që do të përfaqësojnë shkollën Ibrahim Bozhiqi në Volleyball Tournament.
Volleyball Tournament është një event i zhvilluar në Tiranë në datat 10 dhe 11 Maj në kuadër të Europe Week. Në këtë turne të mundësuar nga Europe House në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit kanë marrë pjesë shkolla të mesme nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe përfaqësuese për Elbasanin është pikërisht shkolla e mesme e bashkuar “Ibrahim Bozhiqi”.
Ky aktivitet i veçantë u mirëprit nga nxënësit, drejtuesit e shkollës e po ashtu dhe nga komuniteti përreth. Në një fshat malor rreth 800 metra mbi nivelin e detit, edhe pse kushtet nuk ishin tërësisht të favorshme për zhvillimin e një loje të mirëfilltë volejbolli, ku mungonte qoftë edhe një fushë e shtruar, nuk ndikoi tek entuziazmi i personave pjesëmarrës për të organizuar një aktivitet që përcolli vlera pozitive tek të gjithë. Nëpërmjet këtij eventi të mundësuar nga Këndi i BE doli në pah “Fuqia e Rinisë” që do të shërbejë si burim motivimi për të gjithë komunitetin e zonës Labinot-Mal.