
Në kuadër të kalendarit evropian, konkretisht ”Javës Evropiane të Qyteteve dhe Rajoneve”, me mbështetjen e projektit “Bashkitë për në Evropë”, Njësia e Integrimit Evropian në Bashkinë Pogradec organizoi një aktivitet me fokus “Ekonominë Blu”.
Aktiviteti u realizua me të rinjtë e gjimnazit ”Gjergj Pekmezi”, të cilët u njohën me konceptin e Ekonomisë Blu si një strategji afatgjatë që synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike përmes sektorëve dhe aktiviteteve të lidhura me oqeanet, detet, liqenet dhe lumenjtë, duke patur në fokus ruajtjen e biodiversitetit të ujrave.
Të rinjtë u shoqëruan në ambjentet e qendrës së rritjes së rasatit të peshkut në fshatin Lin, investim i Bankës Botërore.
Ndërtimi i kësaj qendre të shumimit të peshkut është një aset i qytetit të Pogradecit pasi aty merr jetë ai që identifikon Liqenin e Ohrit, peshku i Koranit. Në thelb kjo qendër është promotor i Ekonomisë Blu pasi është pjesë e një zinxhiri të rëndësishëm si shtimi i peshkut, rritja ekonomike, zhvillimi i turizmit të qytetit.
Të rinjtë u njohën në terren me mjediset e kësaj qendre, procesin e shumimit, ruajtjen e ekosistemit të liqenit, akuakulturën dhe rëndësinë e zhvillimit të këtyre specialiteteve që të rinjtë i njohin pak ose aspak.
Ky aktivitet përkon dhe me muajin në të cilin hidhet në liqen rasati i peshkut, ku çdo vit hidhen 1.5 deri 2 milion rasate.