Bashkitë, pjesë e pandarë dhe integrale e procesit të integrimit

  • Posted on: 15 September 2020
  • By: admin

“70 përqind e legjislacionit të Bashkimit Evropian do të zbatohet në nivel vendor. Prandaj bashkitë duhet të përveshin mëngët dhe të përgatiten për të qenë pjesë e pandarë e procesit të integrimit, në bashkëpunim me qeverinë qendrore, me qëllim që të realizohet ëndrra e madhe e shprehur në shumicë dërrmuese nga shumica e shqiptarëve”.

Këto ishin mesazhet që u dhanë në aktivitetin e madh virtual në bashkinë e Rrogozhinës, i dyti në serinë e aktivitetevë që po organizon “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, me të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

Gjatë këtyre takimeve, projekti në bashkëpunim me Njësitë e Integrimit Evropian, ë ngritura tashmë në çdo bashki, po u prezanton stafeve të këtyre institucioneve Raportin “Bashkitë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, një vlerësim i ecurisë së përvitshme të bashkive të Shqipërisë, sa i përket kritereve të integrimit.

Në takimin me Bashkinë e Rrogozhinës, kanë marrë pjesë kryetarja e Bashkisë, Znj. Antonela Dedej, ndërkohë që nga delegacioni i BE ka përshëndetur Z. Ardian Metaj, Oficer Programi për Transportin dhe Energjinë. Mesazhe mbështetjeje për punën e bashkive në drejtim të procesit të integrimit ka dhënë Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati.

Takimi është moderuar nga Znj. Jolanda Trebicka, Menaxhere e Projektit Bashkitë për në Evropë, ndërkohë që prezantimin e rekomandimeve të raportit e ka bërë Znj. Mirsa Titka, ndërsa Znj. Iva Çoku ka bërë për të pranishmit një prezantim të financimeve dhe projekteve të Bashkimit Evropian në Shqipëri.