“Njësitë e Integrimit, pionierë të agjendës evropiane në bashkitë e Shqipërisë”. Turi i BpE ndalet në Tiranë

  • Posted on: 14 October 2020
  • By: admin

Ka vazhduar me Bashkinë e Tiranës turi i prezantimit të Raportit të Vlerësimit të Performancës së Bashkive, që ekipi i projektit “Bashkitë për në Evropë” është duke zhvilluar në të 61 bashkitë e Shqipërisë.

Me praninë e Kreut të Zyrës së Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Z. Mario Mariani, Oficerit të Programit për Qeverisjen e mirë në Delegacionin e BE, Z. Orlando Fusco, nënkryetares së Bashkisë, Znj. Anisa Rusetti, drejtueses së Projektit “Bashkitë për në Evropë Znj. Jolanda Trebicka, si dhe punonjësve të administratës dhe anëtarëve të këshillit bashkiak të bashkisë së Tiranës, takimi është moderuar nga Z. Genc Kojdheli, Drejtor i Investimeve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë Tiranë.

Z. Mariani ka vënë theksin në rëndësinë e Raporteve të Performancës së Bashkive në procesin e integrimit, që sipas tij, “duhet t’i kthejmë në udhëzues për rrugën e të ardhmes, për të përcaktuar se ku do të fokusohen veprimet tona”.

Tashmë, ne si BE kemi kaluar në një tjetër nivel sa i përket partneritetit me pushtetin lokal. Ne kemi një mesazh të qartë për të përcjellë: Nga sot, jo thjesht ndërtim kapacitetesh dhe asistencë teknike e trainime. Ne duam t’u përgjigjemi drejtpërdrejt dhe menjëherë nevojave që kanë identifikuar bashkitë në nivel lokal, për t’u shërbyer më mirë komuniteteve të tyre. Ky është realiteti sot dhe do të jetë gjithnjë e më shumë në të ardhmen”.

Z. Mariani ka vlerësuar institucionalizimin e rrjetit të Njësive të Integrimit në BE, dhe ka shprehur kënaqësinë për punën që po bëjnë këto Njësi. “Ata janë sot ambasadorë të BE në komunitetet e tyre, dhe në të njëjtën kohë, ambasadorë të këtyre komuniteteve në BE. Por, tashmë mund të rritemi në një tjetër nivel dhe mendoj se Tirana mund të shërbejë si lokomotivë. Njësitë janë ngritur, por tashmë fokusi ynë duhet të jetë tek mbështetja e tyre, pajisja dhe fuqizimi. Sepse për ne, stafet e këtyre Njësive do të jenë pionierë të agjendës evropiane në bashkitë e Shqipërisë”

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Znj. Anisa Rusetti ka vlerësuar asistencën dhe bashkëpunimin me BpE si një mjet efektiv për përmbushjen e detyrimeve që bashkia ka në procesin e integrimit. “Kemi kuptuar që qeverisja lokale është element thelbësor për përmbushjen e standarteve evropiane, dhe jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Raportimi, përmirësimi i performancës, dhënia e shërbimeve për qytetarët, janë të gjitha fusha ku duhet të fokusohemi dhe të konsolidojmë më tej bashkëpunimin mes nesh”.

Më tej, Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga BE ka bërë një prezantim të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit të performancës, që janë parashtruar më tej në formën e një diskutimi me të pranishmit, ndërkohë që ekspertët e BpE kanë bërë dhe një ekspoze të financimeve që Bashkimi Evropian ka dhënë për Shqipërinë.