TROPOJE 08 MAJ - Kryetarët e senateve të shkollave të Tropojës, mësues, koordinator të qeverive të nxënësve, dhe drejtues të shkollave u mblodhën në një seancë diskutimesh dhe debati, në mjediset e Këshillit Bashkiak të qytetit të Tropojës, tema qëndrore e të cilës ishte: “Na dëgjoni edhe ne!”
Kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Imer Hoxha dhe Zv/kryetarja e Bashkisë, znj. Feride Rrahmanaj, ishin gjithashtu të pranishëm jo vetëm për të përshëndetur takimin, por edhe për të marrë pjesë aktivisht në diskutimet me të rinjtë e qytetit.
Pas kësaj, nxënësit punuan në grupe dhe në mënyrë krejtësisht të pavaruar e të pandikuar, për të hartuar një listë me problematikat që ata hasin në jetën e tyre të përditshme, në shkollë dhe në lagjet e tyre, listë e cila më pas do I parashtrohej në një takim të posaçëm, Kryetarit të Bashkisë Tropojë, z. Besnik Dushaj.
Disa nga këto problematika, që një përfaqësi e nxënësve dhe mësuesve parashtruan dhe diskutuan në takim me Kryetarin e bashkisë ishin: siguria rrugore pranë shkollave, situata higjeno-sanitare në shkolla, ambiente sportive dhe argëtuese për të rinjtë, bibloteka funksionale etj.
Nga Kryetari i bashkisë u premtua se kërkesat e tyre do të merren parasysh dhe do të trajtohet me seriozitetin më të madh. Z. Dushaj, duke marrë në konsideratë faktin që aktiviteti me të rinjtë zhvillohet në kuadër të aktiviteteve që të 61 bashkitë e Shqipërisë po zhvillojnë në kuadër të Javës së Evropës, theksoi edhe një herë rëndësinë që ka ngulitja tek të rinjtë e vlerave evropiane, të tilla si angazhimi, vullnetarizmi dhe pjesëmarrja, në zhvillimin e komunitetit. “Duke qenë aktivë dhe të angazhuar, dhe duke marrë iniciativën duke nisur që në mjediset ku banoni, në shkollën tuaj, në qytetin tonë, ju të bëheni shembulli i përçimit të atyre vlerave që ju bëjnë evropianë të vërtetë”, tha Z. Dushaj.
Këndi i BE në Bashkinë Tropojë do të vazhdojë të organizojë rregullisht aktivitete të tilla me grupe të ndryshme të komunitetit.