Skip to main content

Në datën 10 Tetor 2019, përfaqësuesja e Njësisë së Koordinimit të Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj priti në ambjentet e bashkisë Gjirokastër nxënësit e klasës së 5-të të shkollës “Urani Rumbo” për të zhvilluar me ta një ditë informuese në të gjithë sektorët më të rëndësishëm të administrimit të institucionit. Nxënësit biseduan me nëpunës të njësisë së tatim taksave, ku mësuan për mbledhjen e taksave dhe si ato më tej përkthehen në shërbime, njësinë e emergjencave dhe financës ku u njohën se si strategjitë e pushtetit lokal kanë prioritet zhvillimin e standarteve të godinave të mësimdhënies por edhe të ambjenteve sportive dhe relaksuese për fëmijët.

Nxënësit u njohën dhe me zyrën e BE-së në bashkinë Gjirokastër ku pasi u njohën me të gjitha projektet që implementon ajo dhe funkionin e saj shprehën dëshirën dhe entuziazmin për tu bërë pjesë aktive e veprimeve ndërgjegjësuese të saj. Të gjithë nxënësit morrën përsipër të plotësojnë nga 10 formularë mbi ndërgjegjësimin dhe praktikat e riciklimit në qytet në kuadër të një projekti ndërkufitar që bashkia Gjirokastër po implementon për menaxhimin e mbetjeve dhe riciklimit, në familjet dhe rrethet e tyre shoqërore.

Nxënësit në kuadër të orës së lëndës së qytetarisë në përfundim u takuan edhe me Kryetarin e Bashkisë me të cilin nuk kursyen kritikat por edhe vizionin e tyre për hapësirat e qytetit dhe dëshirat e profesioneve të tyre kur të rriten. / bpe.al