Skip to main content

Projekti “Bashkitë për në Evropë” ka rinisur turinë e takimeve të mëdha në të 61 Bashkitë e Shqipërisë, tashmë në mënyrë virtuale, për shkak të kufizimeve dhe respektimit të masave në mbrojtje të shëndetit, që kërkojnë shmangien e grumbullimeve. 

Në takimin e radhës, ekipi i “Bashkitë për në Evropë” është “ndalur” në Bashkinë e Klosit, ku i pranishëm ka qenë kryetari i Bashkisë, Z. Ilmi Hoxha, si dhe pjesëtarë të stafit të këtij institucioni, të koordinuar nga Njësia e Integrimit Evropian e Bashkisë Klos. 

Në takimin e moderuar nga Menaxherja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, ka përshëndetur Znj. Lieze Vanëymelbeke, Menaxhere Programi për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në Delegacionin e BE në Shqipëri, si dhe Z. Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Klos, Z. Ilmi Hoxha është shprehur se “ne si bashki, do të marrim të gjitha përgjegjesitë sa u përket detyrimeve ndaj misionit shumë të rëndësishëm të anëtarësimit në familjen e madhe evropiane. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm në çdo hap që duhet të hedhim, në funksion të rolit që ne si pushtet lokal duhet të përmbushim në procesin e integrimit”.

Më tej, duke folur për prezantimin e Raportit “Bashkitë në Procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE”, Znj. Trebicka ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së bashkive në këtë proces vlerësimi të performancës së tyre ndërkohë që ka falënderuar Znj. Vanëymelbeke dhe delegacionin e BE për mbështetjen e tyre të pakursyer në këtë proces.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e delegacionit të BE ka falënderuar “kryebashkiakun e Klosit, që na ftoi në mënyrë virtuale në bashkinë e Klosit, Z. Murati, për mbështetjen si dhe Znj Trebicka dhe gjithë ekipin e projektit “Bashkitë për në Evropë”, për organizimin e këtyre aktiviteteve në një kohë kaq sfiduese. 

Ajo shtoi se “Njësitë e BE po bëjnë të mundur që Bashkitë të jenë aty për mundësitë e financimit që janë shfaqur dhe do të shfaqen në të ardhmen, dhe po luajnë një rol shumë të rëndësishem për procesin e integrimit. Siç i ka quajtur Ambasadori i BE, Z. Luigi Soreca, ‘Njësitë e Integrimit të BE janë ambasadorë të BE në komunitetet lokale, ata janë gjithashtu ambasadorë të komunitetit në BE’. Do të donim të gjithë kryebashkiakët në të 61 bashkitë t’u japin këtyre strukturave rëndësinë dhe mbështetjen e duhur. Bashki më të mira dhe më të lumtura do të thotë qytetarë më të mirë dhe më të lumtur. Nuk flasim dot për Integrim Evropian, pa folur për qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit”.

Përfaqësuesja e delegacionit u ka bërë thirrje drejtuesve të institucioneve të pushtetit lokal, që “të mësojnë nga ky raport, të mendojnë dhe vënë në zbatim rekomandimet, që do të sillnin përmirësim të jetesës së qytetarëve. Të gjithë bashkitë janë në të njëjtën varkë dhe të gjithë mund të mësojnë nga njëri tjetri”, tha ajo..

Z. Murati u është drejtuar të pranishmëve, duke thënë se “Agjencia po punon ngushtësisht me BpE për të mbështetur të gjitha punët dhe angazhimet e bashkive në këtë proces kaq të rëndësishëm. Ky Raport është i treti dhe natyrisht që konkluzionet vijnë duke u përmirësuar. Vihet re një progres në performancën e nivelit vendor sa i përket procesit të integrimit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është rruga e vetme për të realizuar aspiratën e shqiptarëve. Çdo përpjekje dhe çdo angazhim i AMVV dhe i ministrisë është i domosdoshëm. Sot flasim me rezultate sepse ajo që nisëm në vitin 2017 i shohim të konkretizuara me projekte direkte nga BE për nivelin vendor”.

Më tej, ekspertet Mirsa Titka dhe Iva Çoku kanë bërë prezantimin e rekomandimeve të Raportit të Vlerësimit të Performancës, si dhe mundësive të ofruara nga financimet e Bashkimit Evropian në Shqipëri. Turi i takimeve virtuale të Bashkitë për në Evropë do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit shtator dhe tetor.