Skip to main content

Projekti Bashkitë për në Evropë, zhvilloi në qytetin e Vlorës, një sesion të plotë trainimi për rreth 30 koordintarorë lokalë të BE që administrojnë Këndet e BE në qytetin e tyre.

Në fokus të këtij trainimi ishte metodologjia e komunikimit ndërveprues e Këndeve të BE me faktorë të ndryshëm institucionalë, vendas dhe të huaj, në funksion të administrimit të proçeseve të përditëshme të punës së Këndit të BE.

Nga kërkimet e bëra nëpërmjet një pyetësori të organizuar nga projekti Bashkitë për në Evropë, rezultoi se një prej sfidave që hasin Koordinatorët e Këndeve të BE në secilën bashki të vendit, është edhe përdorimi i teknikave të duhura për mbajtien e komunikimit të vazhdueshëm me institucionet vendase dhe ato të huaja si dhe me audiencën e gjerë. Gjatë trainimit, Koordinatorët e Këndeve të BE patën mundësinë të përfitojnë njohuritë e duhura në këtë fushë nga ekspertët e projektit por edhe nga shembuj të ngjashëm të sjellë në këtë trainim nga Kosova.

Projekti Bashkitë për në Evropë, i mbështetur nga Delegacioni i BE në Tiranë, ka në qendër të vëmendjes ndër të tjera, edhe ngritjen e kapaciteteve të administratave vendore në lidhje me zbatimin e standarteve evropiane në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të tyre.