Skip to main content

Në 28 Maj 2018, Bashkia Maliq në bashkëpunim me Këndin e BE të kësaj Bashkie, si dhe me mbështetjen e Ambasadës se Republikës së Spanjës në Shqipëri,  organizuan në qendër të këtij qyteti aktivitetin kulturor me temë "BE, një hapësirë e përbashkët diversiteti kulturor" .

Java e Arteve Skenike Spanjolle në Shqipëri, e cila u kremtua në vendin tonë nëpërmjet një serie koncertesh të këngëtares së njohur  të hip-hopit Arianna Puello, kishte si itinerar edhe qytetin e Maliqit,  duke ndezur atmosferën në këtë qytet të vogël, si dhe duke dhënë mesazhe shumë të forta në lidhje me shtritjen gjeografike të aktiviteteve ndërkombëtare.

Aktiviteti u çel nga Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Z. Gëzim Topçiu, i cili duke përshëndetur të ftuarit theksoi rëndësinë që merr zgjerimi i gjeografisë së aktiviteteve ndërkombëtare edhe në qytete të vogla si Maliqi, pasi përveç shpresës për një vend të jetueshmëm ato mund të nxisin dhjetra talente të fshehura të qytetit të cilët motivohen për një të ardhme më të mirë.

Ndër të ftuarit e tjerë në këtë eveniment ishin edhe Znj. Eva Mendoza - Zv. Ambasadore, Konsulle si dhe Atashe Kulturor e Ambasadës së Republikës së Spanjës në vendin tonë si dhe Presidenti i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri, Z. Gaqo Apostoli, të cilët gjatë përshëndetjes së tyre dhanë mesazhe të rëndësishme të bashkjetesës dhe respektit të vlerave kulturore mes vendeve europiane e më gjerë.