Skip to main content

“Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur në 1 korrik etapën e dytë të rrugëtimit tonë të suksesshëm, i cili synon që, përmes forcimit të kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit, të mundësojë afrimin e mëtejshëm të organeve të pushtetit lokal dhe qytetarëve, me Bashkimin Evropian.

Me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë, kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku me Njësitë e Integrimit Evropian, të ngritura dhe të institucionalizuara në të 61 bashkitë e Shqipërisë.

Ato u krijuan dhe u ngritën në këmbë! Tani është koha që me mbështetjen e projektit tonë, të pëmbrushin potencialin e tyre të plotë dhe të shndërrohen në përthithëse dhe njëkohësisht përcjellëse të zërit të komuniteteve lokale, sa i përket çështjeve që lidhen me integrimin evropian të Shqipërisë.

E gjitha kjo në një epokë historike, kur Shqipëria i është afruar më shumë se kurrë objektivit të saj madhor, për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Ne, ekipi i “Bashkitë për në Evropë” ndjehemi krenarë që japim kontributin tonë modest, në këtë përpjekje me përmasa historike.

Me mbështetjen e Delegacionit të BE në Tiranë, partnerëve të Shqipërisë, Njësive të Integrimit Evropian, stafeve të organeve të pushtetit lokal dhe këshillave bashkiake, komuniteteve lokale në çdo skaj të Shqipërisë, do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim drejt përmbushjes së kësaj aspirate historike të të gjithë shqiptarëve.