Stafet e Njësive të Integrimit Evropian në të 61 Bashkitë e Shqipërisë, janë mbledhur sot në një takim online, të organizuar dhe koordinuar nga Projekti Bashkitë për në Evropë dhe udhëhequr nga drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati. Në takimin e zgjeruar kanë qenë të pranishëm 105 pjesëmarrës, falë edhe infrastrukturës së siguruar prej BpE.
Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutoheshin çështje me rëndësi të veçantë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e Njësive të Integrimit në Bashkitë e Shqipërisë, procesin e krijimit të këtyre Njësive në të gjitha njësitë vendore, dhe sidomos kërkesat që lidhen me raportimin nga pushteti lokal.
Në takimin që u karakterizua nga një frymë konstruktive bashkëbisedimi, stafet lokale kanë parashtruar çështë që lidhen sidomos me raportimin, ngarkesën e punës si dhe probleme të tjera të lidhura me përditshmërinë e punës së tyre.
Nga ana e tij, Z. Murati ka shprehur edhe një herë mbështetjen dhe disponueshmërinë totale të Agjencisë që ai drejton, për të ndihmuar njësitë e qeverisjes vendore në procesin e integrimit evropian dhe më konkretisht, atë të zbatimit të një detyrimi të tillë si krijimi i Njësive të Integrimit Evropian. Z. Murati vuri në dukje punën dhe bashkëpunimin e frutshëm deri sot me projektin Bashkitë për në Evropë dhe bashkitë, dhe vuri edhe një herë theksin në rëndësinë që ka raportimi prej tyre, qoftë sa i përket elementit të saktësisë, qoftë respektimit të faktorit kohë.
Duke theksuar edhe një herë mesazhin se më shumë se 70 përqind e legjislacionit të Bashkimit Evropian zbatohet në nivel lokal, Z. Murati u tha të pranishmëve në takimin e zgjeruar se kanë ende shumë punë dhe përgatitje përpara, me qëllim që të jenë gati për një proces të tillë, sidomos tani që Shqipërisë iu hapën dyert si vend kandidat.
Në fund të takimit u shpallën edhe fituesit e dy konkurseve të organizuar nga BpE: Konkursi i videove në kuadër të Javës së Evropës dhe fituesit e konkursit të fëmijëve kushtuar Javës së Evropës (vizatime, muzikë dhe video).
Teksa Z. Murati dhe Znj. Trebicka, shpallën fituesit, një përshëndetje ka ardhur nga nënkryetarja e Bashkisë Gjirokastër, e cila shprehu kënaqësinë që videoja e Njësisë së Integrimit të kësaj Bashkie me mesazhin e saj të fuqishëm për BE-në, shprehur nga të rinjtë, ishte përzgjedhur si fituese.