Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës: BE na është gjendur gjithmonë pranë, në kohë të vështira

Dua të falënderoj Ambasadorin Soreca dhe të gjitha strukturat mbështetëse të BE, edhe ne jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për të qenë sa më pranë njerëzve. Sidomos gjatë kësaj situate të vështirë pandemie, i kemi mbështetur me gjithçka që u nevojitet, duke filluar që nga ushqimet dhe gjërat bazike tek më të varfërit në komunitetin tonë

Nga SAFET GJICI 
Kryetar i Bashkisë Kukës
Që në krye të herës, dua që të falënderoj delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe strukturat përkatëse që na kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe, duke bërë që Bashkia e Kukësit të jetë tashmë fituese e dy projekteve. Kjo është një gjë shumë e mirë për Bashkinë e Kukësit, sepse projektet e Bashkimit Evropian kanë patur shumë pak impakt në zonën tonë. Natyrisht me ngritjen e një strukture të re – dhe më duhet të them këtu se ne jemi një prej bashkive të para që e kemi ngritur këtë strukturë, madje në një nivel Drejtorie – ne mendojmë se kemi hadhur një hap të rëndësishëm, duke afruar pranë kësaj struktura ekspertë, specialistë të fushave të ndryshme të cilët janë marrë gjithëmonë me projekte.
Unë dua që të falënderoj dhe një herë strukturat e BE, projektin “Bashkitë për në Evropë” për mbështetjen që po na japin. Siç dihet, bashkia e Kukësit ka nevojë për ndërhyrje kapilare, qoftë në projektet e mjedisit dhe qoftë në projektet e infrastrukturës e sidomos në ato të kanalizimeve të ujërave të zeza, por edhe në atë që ne e quajmë qytetin nën tokë, që është një qytet muze.
Më lejoni të ndalemi tek ky i fundit, pasi aktualisht jemi në përmbyllje të procedurave të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, për investimin që do të bëhet pikërisht në qytetin nën tokë, i cili besojmë se do të shndërrohet në një atraksion turizmi që do të tërheqë shumë turistë të huaj. Po kështu, me fonde të Bashkimit Evropian, kemi edhe projektin e kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit, të cilat janë shumë të rëndësishme për qytetin e Kukësit.
Projektet
Ne jemi shumë korrektë në zbatimin e këtyre projekteve, dhe sidomos në kanalizimin e këtyre fondeve atje ku janë nevojat më të mëdha. Padyshim, kjo është një prej arsyeve përse ne kemi ngritur një strukturë të re e cila do të merret edhe me thirrjet e projekteve të Bashkimit Evropian dhe ne kemi kontakte të vazhdueshme me të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian, që merren me implementimin e projekteve në Bashkinë tonë. Natyrisht që ne kemi shumë nevojë për mbështetje nga BE, sidomos në projekte që u shërbejnë ndërhyrjeve si ato që përmenda më lart, por nga ana tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm që edhe ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se integrimi nuk është diçka abstrakte. Integrimi është diçka konkrete, të cilin do ta realizojmë këtu në komunitetin tonë, ditë pas dite, të ndërgjegjshëm se legjislacioni i BE- së zbatohet pikësëpari në nivel lokal.
Nga ana tjetër, unë besoj se duke konkurruar denjësisht me projekte, por edhe duke qenë shumë korrektë me zbatimin e tyre, ne do të ecim me ritmin e nevojshëm sa i përket integrimit.
Marrëdhëniet me pushtetin qendror
Pushteti lokal ka një autonomi të tijën, por jo autonomi fiskale. Që do të thotë se taksat e shumë bizneseve në territorin e bashkisë së Kukësit nuk shkojnë në arkën e kësaj bashkie. Natyrisht që marrëdhëniet me qeverinë qendrore janë shumë të mira, por ne kemi kërkuar që më shumë taksa si ato të HEC apo koncesionarëve të kalojnë Bashkisë së Kukësit.
Në kuadër edhe të raportit më të fundit të performancës, që nxirret nga ana Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Bashkitë për në Evropë, i cili nxjerr në pah edhe mangësitë, mendoj se shumë më tepër duhet të bëhet sa i përket anës fiskale të menaxhimit të territorit tonë. Unë kam dëgjuar ambasadorin e BE i cili ka thënë se është duke shtyrë fort edhe institucionet qendrore për të qenë më bashkëpunues me organet e qeverisjes vendore dhe e përshëndes këtë qëndrim të tijin.
Në fund të fundit, taksat e menaxhuara mirë më pas sillen në investime në rrugë, në ujësjellës, në kanalizime, në lidhjen e njësive administrative me qytetin përmes përmirësimit të infrastrukturës, gjë e cila do të ketë impakt shumë të madh edhe tek banorët e Kukësit. Natyrisht që një prej objektivave tona është që t’i japim një impakt të fortë edhe turizmit.
Ne kemi vende shumë të bukura dhe bujari e mikpritje të jashtëzakonshme për t’u ofruar turistëve vendas dhe të huaj. Ndaj unë besoj se me rregullimin e marrëdhënies me qeverinë qendrore, sidomos sa i përket procesit të integrimit tani që Shipërisë i janë hapur dhe dyert e negociatave, shumë gjëra do të vijnë duke u përmirësuar edhe për Kukësin.
Mbështetja e BE
Ashtu si Bashkimi Evropian që po dëshmon edhe një herë vlerën e solidaritetit, duke na u gjendur pranë me fonde dhe mbështetje në këto kohë të vështira, siç na është gjendur gjithmonë. Dua të falënderoj Ambasadorin Soreca dhe të gjitha strukturat mbështetëse të BE, edhe ne jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për të qenë sa më pranë njerëzve. Sidomos gjatë kësaj situate të vështirë pandemie, i kemi mbështetur me gjithçka që u nevojitet, duke filluar që nga ushqimet dhe gjërat bazike tek më të varfërit në komunitetin tonë.
Bashkia e Kukësit nuk e ka ndërprerë asnjëherë ndihmën në ushqime dhe jo vetëm, për familjet që janë më shumë në nevojë. Ne jemi përpjekur që ta bëjmë të ndihet sa më pak situata e një pandemie që ka prekur mbarë botën dhe natyrisht edhe komunitetet tona.
Edhe Drejtoria jonë e integrimit Evropian ka qenë në krye të detyrës, duke dëshmuar edhe një herë se solidariteti është një vlerë universale.