Skip to main content
Submitted by admin on 30 July 2019

Elbasan 26 Prill 2019 – Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj pranë Bashkisë Elbasan organizoi një seancë informuese mbi Bashkimin Evropian në fshatin Qafë, të Njësisë Administrative Labinot-Mal, rreth 35 kilometra larg qytetit te Elbasanit. Takimi u organizua në ambjentet e shkollës së mesme të bashkuar "Ibrahim Bozhiqi", ku ishin të pranishëm të gjithë maturantët e kësaj shkolle.

Koordinatori i Këndit të BE Elbasan, Erion Ibërshimi ofroi shpjegime në lidhje me Projektin “Bashkitë për në Evropë”, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij projekti deri më sot, informacion të detajuar në lidhje me rolin që ka Njësia e Integrimit Evropian, në nivel vendor, si dhe shërbimet informuese dhe jo vetëm, që ofron Këndi i BE-së në Bashkinë e Elbasanit.

Temat kryesore në të cilat u bazua ky sesion informimi ishin te adresuara më së shumti mbi historikun e Bashkimit Evropian, institucionet kryesore të tij, simbolet dhe vlerat themelore, etj. Ndër të tjera u trajtua edhe çështja e rolit që qeverisja vendore ka dhe do të ketë në integrimin Evropian të Shqipërisë.

Një hapësirë të dedikuar në këtë Info Day kishin dhe politikat dhe programet e Bashkimit Evropian kushtuar të rinjve. Në këtë hapësirë pati diskutime të gjata me studentët, ku doli në pah një interes i veçante mbi programin Erasmus+, mundësitë që ofron, mënyrat e aplikimit, bursat dhe universitetet ku mund të zhvillojnë këtë eksperiencë interesante.

Në fund të aktivitetit, u la takim për javën pasardhëse ku Këndi i BE Elbasan do të organizojë një kampionat volejbolli midis klasave të shkollës "Ibrahim Bozhiqi".