Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Kryetarët e Bashkive të Shqipërisë, shënjuan sot fillimin e një iniciative të re për të mbështetur bashkitë në procesin e fuqizimit të aftësive të tyre qeverisëse në lidhje me integrimin evropian.
Bashkitë për në Evropë, me nje fond prej rreth 800.000 Euro, do të krijojë 61 zyra vendore evropiane (Kënde të BE) në të gjithë vendin në dy vitet e ardhshme, duke ndihmuar autoritetet vendore dhe qytetarët shqiptarë me informacion mbi BE -në, politikat dhe programet e saj.
"Përgëzojmë 61 kryebashkiakët shqiptarë, të cilët kanë emëruar tashmë anëtarë të stafit të tyre për të koordinuar çështjet që lidhen me BE. Në javët e ardhshme secila bashki në Shqipëri do të ketë Këndin e saj të BE”, – u shpreh Z. Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE në Shqipëri. “Në rrugën e saj të pranimit në BE, Shqipëria vetëm mund të përfitojë nga përfshirja e pushtetit vendor. Nëse përfshihen drejtpërsëdrejti, administratat vendore dhe qytetarët mund të mësojnë më shumë, të rrokin mundësitë dhe të përballen me sfidat që përfshin integrimi evropian. Këndet e BE, do të kontribuojnë për të sjellë Shqipërinë, qytetarët e saj dhe Bashkimin Evropian më pranë njëri – tjetrit”, – u shpreh Mariani.
BE i kushton një vëmendje gjithnjë e më të madhe rolit që pushteti vendor luan në kontekstin e procesit të integrimit evropian të vendit. Bashkitë për në Evropë ka në qendër të vëmendjes fuqizimin e kapaciteteve për administratat vendore duke ndihmuar në krijimin e Këndeve të BE në secilën prej 61 bashkive të Shqipërisë.
Bashkitë për në Evropë fillon në kuadër të Javës Evropiane të Demokracisë Vendore e cila promovon dhe ushqen pjesëmarrjen demokratike në nivelin bazë të shoqërisë. Fillimi i projektit u shoqërua me një debat të hapur midis Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Lushnjes dhe të rinjve të qytetit.
Konteksti
Projekti “Bashkitë për në Evropë”, i pari i llojit të tij i financuar nga BE dhe që po zbatohet në Shqipëri, është një iniciativë e cila synon të fuqizojë aftësitë qeverisëse të bashkive shqiptare në lidhje me integrimin evropian si dhe të ndihmojë autoritetet vendore dhe qytetarët shqiptarë me informacion mbi Bashkimin Evropian, politikat dhe programet e tij. Për të arritur këtë qëllim, projekti do të ndihmojë të gjitha bashkitë në Shqipëri nëpërmjet krijimit të zyrave vendore të BE (Këndet e BE); duke rritur njohuritë rreth Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA) si dhe fondeve të tjera përkatëse të BE për bashkitë dhe qytetarët shqiptarë; rritjes së aftësive të palëve të interesuara në terren për të përfituar nga fondet IPA apo fondet e tjera të BE, të vlefshme për bashkitë shqiptare apo qytetarët, nëpërmjet trainimeve mbi konceptimin, shkrimin e projekt – propozimeve si dhe plotësimit të dosjeve të aplikimit ; rritjes së njohurive dhe kuptimit të politikave, objektivave, prioriteteve, institucioneve dhe programeve të Bashkimit Evropian, si dhe qartësimin e miteve dhe koncepteve të gabuara për proçesin e pranimit në BE.
Projekti gëzon të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare, asaj qendrore dhe vendore, të shprehur zyrtarisht nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi të firmosur mes tyre në 5 Dhjetor 2016 në qytetin e Durrësit.
Link njoftimi per shtyp