Në datën 21 shkurt 2024, nën kujdesin e Projektit “Bashkitë për në Evropë” është zhvilluar në Tiranë Workshop-i me temë “Bashkitë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë – Roli i Këshillave Bashkiake”.
Workshop-i është zhvilluar me kryetarët e këshillave bashkiakë në 61 bashkitë e Shqipërisë, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë Znj. Romina Kuko, Zëvendësministre e Brendshme, Z. Ermal Elezi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Znj. Marie Augouy, Menaxhere Programi për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal në Delegacionin e BE në Tiranë, Znj. Adelina Farrici, Drejtore e Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore dhe Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë”.
Deklaruan:
Marie Augouy
Menaxhere Programi, Delegacioni i BE, Tiranë
Për ne si delegacion i Bashkimit Evropian, roli i qeverisjes vendore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është thelbësor. Ne i konsiderojmë organet e pushtetit lokal si aktorë kyçë në implementimin e politikave të përbashkëta të BE-së. Fakti që anëtarët dhe kryetarët e këshillave bashkiakë, si pjesë e legjislativit në nivel lokal por edhe të administratës bashkiake, në rolin e ekzekutivit, si zëra tejet të rëndësishëm për shkak se janë më pranë qytetarëve. Krijimi i Forumit të Kryetarëve të Këshillave Bashkiakë është një hap i rëndësishëm, pasi kështu do të jeni në gjendje të transmetoni shqetësimet tuaja në qeverinë qendrore. Bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe atij qendror është thelbësor për procesin e integrimit.
Romina Kuko
Zv. Ministre e Brendshme
Krijimi i një Forumi të tillë, si ai i Kryetarëve të Këshillave Bashkiakë është një lajm i mirë, sa i përket procesit të integrimit dhe jo vetëm. Eshtë mbi të gjitha e rëndësishme që të kemi procedura të pagabueshme dhe të mirëkoordinuara kur vjen puna tek ligjshmëria e akteve. Unë mendoj se duhet të përftojmë prej shembujve të mirë të krijuar tashmë, siç është përshembull rrjeti ekzistues i Njësive të Integrimit Evropian në bashkitë e Shqipërisë. Ne duhet ta eksportojmë këtë model të suksesshëm edhe për këtë rrjet të kryetarëve të këshillave bashkiake. Këshillat Bashkiake janë platformat më të mirë për të thirrur dhe për të qenë pranë grupeve të interesit dhe qytetarëve dhe për të realizuar konsultime në vazhdimësi.
Ermal Elezi
Drejtor i Përgjithshëm, AMVV
Përmbushja e detyrimeve në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, është proces i vazhdueshëm, që kërkon një koordinim të pandalur mes pushtetit vendor dhe pushtetit qendror. Nevojitet një rol më aktiv i qytetarëve. Këshilli bashkiak është guri i themelit për një qeverisje vendore gjithëpërfshirëse, transparente dhe të përgjegjshme, sepse është organ që përfaqëson direktqytetarët. Me angazhimin e tij mund të kemi një përfshirje sa më të mirë të qytetarëve. Duke patur parasysh që nevojitet një ekuilibrim i interesave të qytetarëve në këshillin bashkiak, Komisionet e Integrimit mund të jetë një promotor edhe më i mirë për transparencën, përgjegjshmërinë, konsultimet publike me qytetarët etj. Angazhimi për këtë duhet të jetë i përditshëm.
Adelina Farrici
Drejtore Ekzekutive, Shoqata për Autonomi Vendore
Forumi i Kryetarëve të Këshillave Bashkiakë do të jetë i përhershëm. Pushteti vendor nuk është thjesht administrata, prandaj Këshilli Bashkiak ka një rol kyç si organi legjislativ në nivel lokal. Për këtë arsye, duhet të informohet mbi rolin që ka qeverisja lokale në kuadër të anëtarësimit në BE. Duhet që qoftë krahu ekzekutiv (bashkia), qoftë krahu legjislativ (këshilli bashkiak), duhet të jenë një zë i vetëm, kur vjen fjala tek lobini në qeverisjen qendrore, për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare dhe atë që i takon pushtetit lokal.
Jolanda Trebicka
Drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë”
Ndërgjegjësimi i Këshillave Bashkiake mbi rolin që kanë autoritetet lokale dhe rajonale ka shumë rëndësi. Nga viti 2017 e deri më sot, ka një rritje të madhe të ndërgjegjësimit. Sot konstatohet edhe nga raportimet që vijnë nga institucionet qëndrore, se informacioni që vjen për pushtetin qëndror nuk është ai që kërkon Brukseli. Nga ana tjetër, vihet re një rritje e presionit nga ana e KE për ndërgjegjësimin mbi rolin e pushtetit vendor, të bashkive. Nuk mund të ketë sukses domethënës të negociatave nëse autoritetet vendore nuk janë të përfshira në këtë proces. Integrimi është perceptuar gjithmonë si një proces që ndodh vetëm në qendër, por është fakt se 70 përqind e legjislacionit të BE zbatohet në nivel lokal.
Temat që u trajtuan në Workshop-in me Kryetarët e Këshillave Bashkiakë:
- Krijimi i një rrjeti komunikimi për konsultimin e bazës ligjore për pushtetin lokal, detyrimeve që dalin në kuadër të procesit të integrimit evropian, nevojave për trajnime dhe rrjetëzim, bazuar edhe në faktin se mbi 70 përqind e legjislacionit të Bashkimit Evropian zbatohet në nivel lokal.
- Forumi i Kryetarëve të Këshillave Bashkiakë duhet të jetë aktiv për të forcuar bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe atij qendror, si proces thelbësor për integrimin e Shqipërisë.
- Eksportimi i modeleve të suksesshme ekzistuese, si Rrjeti i Njësive të Integrimit Evropian, për krijimin dhe fuqizimin e Rrjetit të Kryetarëve të Këshillave Bashkiake, për t’i shndërruar ato në platforma të mirëfillta konsultimesh sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
- Krijimi i Forumit të Këshillave Bashkiake të pasohet nga krijimi i komisioneve të integrimit evropian në Bashki, duke i shndërruar ata në promotorë edhe më i mirë për transparencën, përgjegjshmërinë, konsultimet publike me qytetarët etj, sa i përket procesit të integrimit të Shqiëprisë në BE.
- Forumi i Kryetarëve të Këshillave Bashkiakë do të jetë i përhershëm dhe duhet të informohet mbi rolin që ka qeverisja lokale në kuadër të anëtarësimit në BE. Duhet që qoftë krahu ekzekutiv (bashkia), qoftë krahu legjislativ (këshilli bashkiak), të jenë një zë i vetëm, kur vjen fjala tek lobini në qeverisjen qendrore, për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare dhe atë që i takon pushtetit lokal.
- Nevojitet një ndërgjegjësim dhe informim i vazhdueshëm i Këshillave Bashkiake mbi rolin që kanë autoritetet lokale dhe rajonale, duke patur parasysh edhe presionin në rritje që vjen nga ana e BE-së në lidhje me këtë ndërgjegjësim.