Në kuadër të Javës së Europës, Këndi i BE në bashkinë Elbasan në bashkëpunim me bibliotekën e qytetit, drejtorin e kulturës në bashki, z. Fatmir Musaj dhe studentët e letërsisë zhvilluan një tryezë diskutimi mbi ndikimin e autorëve elbasanas drejt orientimit evropian të Shqipërisë. Elbasani si një qytet i traditës dhe arsimit ka me se të krenohet në këtë drejtim. Mjafton të përmendim Dhaskal Todrin i cili ishte i pari që solli shkronjat e gjuhës shqipe nga Evropa dhe Kostandin Kristoforidhin që konsiderohet Babai i gjuhës shqipe.
Përgjegjësi i Njësisë së Koordinimit dhe Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Elbasan, Erion Ibërshimi theksoi se kanë qënë pikërisht shkrimet e këtyre autorëve që kanë ndikuar për një qasje përëndimore të vendit tonë drejt Evropës. Sipas tij, drejt familjes së madhe europiane nuk shkohet vetëm nëpërmjet plotësimit të detyrave politike, ekonomike e juridike, por edhe nëpërmjet kulturës.
Drejtoresha e Bibliotekës “Q.Baholli” Aida Gashi u shpreh se vlerat kulturore të shkrimtarëve të këtij qyteti duhet ti konservojmë me fanatizëm dhe të bëjmë përpjekje të vazhdueshme që t’i përcjellim sa më mirë të brezat pasardhës. Ndërsa Drejtori i Kulturës në Bashkinë Elbasan Fatmir Musaj u shpreh se drejt Evropës mund të shkohet sëbashku me diversitetin tonë që na dallon nga të tjerët.
Ky event u pasqyrua edhe ne mediat lokale.