Fuqizimi i pushtetit lokal, për integrimin evropian të Shqipërisë
Një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian, po fuqizon bashkitë shqiptare për të luajtur një rol më të madh, në procesin e integrimit evropian.
Në vitin 2014, Shqipëria ndërmori një nismë të rëndësishme për të reformuar sistemin e saj të qeverisjes vendore, duke u përpjekur për një decentralizim të vërtetë dhe thelbësor, në vijim të përpjekjeve të mëparshme, që megjithatë kishin qenë të pamjaftueshme. Kjo nismë synonte të fuqizonte vetëqeverisjen lokale me autoritete, të drejta dhe përgjegjësi të konsiderueshme financiare dhe ekonomike. Ajo synonte të rriste aftësitë administrative, investuese, rregullatore dhe të shërbimeve, në funksione thelbësore, duke përfshirë edhe transferimin e përgjegjësive shtesë.
Në të njëjtën kohë, reforma administrative territoriale synoi të riorganizonte kufijtë administrativë të vendit, duke riorganizuar njësitë e fragmentuara të qeverisjes vendore. Ky ristrukturim kishte për qëllim të adresonte çështjet e shërbimeve publike të pakënaqshme që u ofroheshin komuniteteve lokale dhe mungesën e ekonomive të shkallës, gjë që rezultonte në kosto të tepërta administrative. Qëllimi ishte krijimi i një sistemi territorial më koheziv dhe më efikas, i cili mund t'i shërbente më mirë nevojave të popullsisë.
Një tjetër aspekt thelbësor i trajtuar në kuadër të reformës së qeverisjes vendore në Shqipëri ka të bëjë me rolin e bashkive në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Jolanda Trebicka, Drejtore Ekzekutive e Organizatës së Shoqërisë Civile Europartners Development Albania (EPD) në atë kohë ishte ndër ekspertet e përfshira aktivisht në procesin e reformës. Ajo thekson se në mesin e autoriteteve mbizotëronte mendimi që, integrimi në BE ishte fokusuar kryesisht në përafrimin e legjislacionit në nivel qendror, duke neglizhuar rëndësinë e qeverisjes vendore.
“Megjithatë, ky perceptim është i pasaktë, pasi një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit zbatohet realisht në nivel lokal. Shqipëria ka nisur procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së. Ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian, vlerësimet e kryera në Shqipëri konfirmuan se 70% e legjislacionit të harmonizuar/përafruar me legjislacionin e BE-së, zbatohet në nivel lokal. Së fundi, u pranua se integrimi në BE është një praktikë gjithëpërfshirëse dhe bashkitë luajnë një rol vendimtar në këtë proces”, thotë Trebicka. Rrjedhimisht, strategjia fillestare e decentralizimit synonte krijimin e këndeve të BE-së në 30 bashki të Shqipërisë, deri në vitin 2020.
Në vitin 2017, BE në Shqipëri nisi projektin “Bashkitë për në Evropë”. Ky projekt kishte për qëllim ngritjen në një nivel më të lartë, të rolit që bashkitë luajnë në procesin e integrimit në BE. Duke filluar nga themelet, projekti ofroi mbështetje gjithëpërfshirëse në fusha të ndryshme, përfshirë ndihmën për të 61 bashkitë, sa i përket krijimit të njësive të Integrimit Evropian, dhe duke u mundësuar atyre të kryejnë detyrat në mënyrë efektive dhe efikase. Projekti organizoi shumë seanca trajnimi për të rritur kapacitetet e bashkive për më shumë qasje në fondet e BE-së, dhe mbështeti njësitë e integrimit në organizimin e aktiviteteve me komunitetet lokale, për shpërndarjen e informacionit në lidhje me BE-në.
Veç këtyre, projekti ka ofruar mbështetjen për Delegacionin e BE-së në realizimin e aktiviteteve të informimit dhe komunikimit në nivel bashkiak. Kjo përfshin ndihmën në fushatat kundër migrimit të paligjshëm, promovimin e programit ERASMUS+ për të rinjtë në bashki, dhe rritjen e ndërgjegjësimit në nivel lokal, për programet e mbështetjes rurale nga ana e Bashkimit Evropian. Një fushatë e rëndësishme ishte "Evropa është këtu" që konsistonte në informimin e popullsisë vendase mbi kontributin e BE-së në zhvillimin social dhe ekonomik të komuniteteve lokale.
Në përgjithësi, projekti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe thelbësor në rritjen e kapaciteteve qeverisëse të bashkive, në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me BE-në, duke dhënë rezultate pozitive. Projekti u konsiderua si best practice, për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë aktivitetit të organizuar nga Komiteti i Rajoneve, në kuadër të Ditës së Zgjerimit, më 6 korrik 2022.
Megjithatë, znj. Trebicka pranon se ka ende vend për përmirësim. “Ka fusha që kërkojnë përmirësime të mëtejshme. Duhet bërë më shumë për të informuar dhe ngritur kapacitetet e të gjithë administratës vendore dhe për të mbështetur këshillat bashkiake, që të luajnë një rol më proaktiv në terren, në proceset e rëndësishme të integrimit në BE. Megjithatë, mund të pohoj me besim se ne kemi hedhur bazat që bashkitë të marrin një rol shumë më domethënës në procesin e integrimit në BE në të ardhmen”, pohon Trebicka. / webalkans.eu