Skip to main content

Projekti “Bashkitë për në Evropë” ka vijuar serinë e takimeve që po zhvillohen në të 61 bashkitë e Shqipërisë, për prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Performancës.

Ndalesa e radhës ka qenë në Bashkinë e Divjakës, në një takim ku fokusi ka qenë sidomos tek Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, për shkak të karakteristikave të zonës që mbulon kjo bashki.

Në këtë takim të koordinuar nga Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, kanë qenë të pranishëm Z. Razvan Ghitescu, Oficer Programi për Sektorin e Bujqësisë në Delegacionin e BE në Tiranë, Z. Bekim Murati, Drejtor i Përgjithshëm i AMVV, ekspertë të fushës si dhe stafi i Bashkisë së Divjakës.

Z. Razvan Ghitescu, Oficer Programi për Sektorin e Bujqësisë në Delegacionin e BE në Tiranë, vuri theksin tek rëndësia që mbështetja e BE-së ka patur dhe vazhdon të ketë për Shqipërinë. “Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot, për tre aryse”, u shpreh ai. “E para, unë kam qenë Këshilltar për Integrimin Evropian në Ministrinë e Bujqësisë së Rumanisë, në periudhën para futjes së vendit tim në BE. Së dyti, kam punuar në sektorin e bujqësisë, që është tema e takimit të sotëm, që do të thotë kam punuar në ndërtimin e kapaciteteve dhe në përafrimin e legjislacionit në periudhën para anëtarësimit dhe gjatë gjithë karrierës sime, dhe së treti, jam tejet i interesuar në qeverisjen lokale, që e konsideroj si një element thelbësor për zhvillimin e suksesshëm të bujqësisë dhe zonave rurale”.

Më tej, Z. Ghitescu është shprehur se Bashkimi Evropian është i fokusuar në mbështetjen e “Bashkitë për në Evropë” dhe në njësitë e integrimit pranë bashkive, për shkak se “ne e konsiderojmë këtë një punë në ekip ku aktorë të ndryshëm marrin pjesë dhe përmbushin detyra të ndryshme. Bashkitë, njësitë e integrimit, ekipi i projektit dhe stafi i delegacionit të BE, të gjithë punojmë së bashku për të njëjtin objektiv”.

Bekim Murati, Drejtori i Agjencisë së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore, është shprehur se “Raporti i Tretë i vlerësimit të performancës vjen tashmë me një qasje më pozitive dhe disa arritje shpresëdhënëse sa i përket pushtetit vendor. Unë mendoj se ky rezultat i dedikohet angazhimit të bashkive, kryetarëve, agjencive dhe institucioneve shtetërore. Ne si AMVV ua kemi shprehur qartë kryetarëve të bashkive, se do të kërkojmë me ngulm një konsolidim të mëtejshëm të strukturave të integrimit. Njësitë e Integrimit Evropian janë aty për të informuar qytetarët mbi projektet e BE, por edhe mbi detyrimet që shteti shqiptar ka në kuadër të procesit të Integrimit. Edhe pse në krye të herës ka patur pikëpyetje mbi këto struktura, apo mbi funksionimin e tyre, mund të themi se sot ato kanë një fizionomi të konsoliduar dhe një gjë e tillë është e pasqyruar fare mirë në Raportin 2019”, tha Z. Murati, i cili duke iu referuar konkretisht Divjakës, është shprehur se “kemi zhvillime pozitive në lidhje me bujqësinë, turizmin, burimet që duhet të shfrytëzohen. Dhe një qasje e tillë duhet të shërbejë si shembull edhe për bashkitë e tjera”, tha ai.

Drejtuesja e Projektit, Znj. Jolanda Trebicka ka përcjellë mesazhet për konsolidimin e strukturave të integrimit, dhe mbi të gjitha, siç tha ajo “vlerësimin dhe ruajtjen e atyre kapaciteteve ekzistuese, të ndërtuara tashmë falë trainimeve dhe punës që është bërë në vitet e fundit nga ana e projektit”.