Në datën 31 Janar 2018, Këndi I BE në bashkinë Kukës, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit organizuan aktivitetin me temë “Ditës Evropiane të Pemës”.
Qyteti i Kukësit ruan në traditën e lashtë dhe të pasur etnokulturore të tij, kultin e Pemës, të cilin e ka veshur me domethënie të veçanta dhe me një simbolikë të pasur e cila përcjell njerëzit dhe shoqërinë në aktivitetet më të rëndësishëm të jetës së tyre.
Edhe pse i ndërtuar rishtaz në periudhën e regjimit komunist, i ngritur me formate betoni e çimentoje, ky qytet nuk e humbi kurrë shpirtin e tij të pasur, nuk e humbi kontaktin me Natyrën dhe forcën transformuese e rigjeneruese të tij, me malet përreth, me pyjet dhe lumenjtë.
Në këtë kontekst, “Pema”, gjelbërimi, ripyllëzimi i hapësirës brenda dhe jashtë qytetit, po ringjallen si traditë dhe po shndërrohen dita-ditës në simbol të ringritjes së këtij qytetit tone.
Ndaj nisur nga sa më lartë, vit për viti në këtë qytet orghanizohet “Dita e pemës”, një aktivitet tejet domethënës i cili përkon edhe me ditën evropiane të pemës. Në këtë aktivitet ishin të ftuar të veçantë edhe Ambasadori i Republikës së Izraelit në Shqipëri, Z.Boaz Rodkin si dhe Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, Znj. Lea Staniçiç.
Kryetari i Bashkisë, Z.Bashkim Shehu i priti ambasadorët në një vizitë të veçantë në ambjentet e bashkisë dhe më pas i shoqëroi ata në një vizitë në Muzeun Etnografik të Kukësit, ku i njohu me historikun dhe veshjet tradicionale të zonës.
Bashkë me përfaqësues të tjerë të qytetit, secilës pemë të mbjellë , iu dha një domethënie e veçantë, e cila që tani e tutje do të simbolizojë vlerat dhe dëshirat e qytetarëve të Kukësit,ku spikat pema e integrimit evropian të vendit, si një nga aspiratat dhe pritshmëritë më të mëdha të tij.