Ceremonia e dhënies së Çertifikatave për stafet e Njësive të Integrimit Evropian

  • Posted on: 28 October 2020
  • By: admin

Të martën, më datë 27 tetor 2020, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, në bashkëpunim me “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, kanë organizuar Ceremoninë e Shpërndarjes së Çertifikatave (online) për të gjitha stafet e Njësive të Integrimit Evropian, në 61 bashkitë e Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë, janë shpërndarë çertifikatat për Senior Staff, ose ata që kanë përfunduar ciklin e Modulit të Integrimit Evropian në nivel vendor, si dhe stafet e reja të këtyre njësive, që kanë marrë Çertifikatën e përfundimit të të gjithë ciklit të trainimeve në kuadër të Integrimit Evropian në nivel vendor.

Z. Mario Mariani, Shef i Seksionit Operacional në Delegacionin e BE u shpreh se krijimi i rrjetit të Njësive të Integrimit Evropian, ka qenë një prej aksioneve më të mira të partneritetit të BE në Shqipëri. Sipas tij, “suksesi më i madh ishte transformimi i tyre nga një aktivitet bashkëpunimi, në struktura tërësisht të institucionalizuara pranë bashkive, në të gjithë vendin dhe që tani kanë një potencial shumë të madh për të çuar gjërat përpara”. 

Znj. Klea Maliqi, drejtore e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike u shpreh se “ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë të pranishëm, me trainime online për shkak të pandemisë, dhe gjithashtu për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve. Në bashkëpunim me projektin ne kemi bërë të pamundurën për të përmirësuar teknologjinë që nevojitet për shërbimet online. Shkolla jonë e Administratës Publike ia ka dalë të trainojë 12 mijë zyrtarë nga e gjithë administrata gjatë këtij viti dhe një pjesë e tyre kanë qenë padyshim stafet e Njësive të Integrimit Evropian, të cilët falë bashkëpunimit me projektin “Bashkitë për në Evropë”, kanë mundur të përthithin dije të rëndësishme sa i përket procesit të integrimit dhe rolit të pushtetit lokal në këtë proces.

Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë” ka falënderuar veçanërisht Z. Orlando Fusco, Oficer i Programit për Qeverisjen e mirë në Delegacionin e BE, për mbështetjen që ka dhënë gjatë gjithë kohës për mbarëvajtjen e procesit. Një falënderim të veçantë ajo ka patur edhe për Z. Bekim Murati, drejtor i përgjithshëm i AMVV si dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, Të gjithë këta aktorë kanë qenë pjesë të një mozaiku që në bashkëpunim kanë bërë të mundur suksesin e derisotëm.

Më tej, përfaqësues të Njësive të Integrimit Evropian në disa prej bashkive të Shqipërisë kanë shprehur vlerësimet e tyre për projektin dhe për aftësimin profesional përgjatë këtij rrugëtimi të konsolidimit të Njësive të Integrimit Evropian.

Guxim Alimani, drejtues i Njësisë së Integrimit Evropian në Bashkinë Tropojë ka falënderuar delegacionin e Bashkimit Evropian për mbështetjen, dhe personalisht Z. Mariani që sipas tij, “tashmë e ndjejmë si njërin prej nesh për shkak të bashkëpunimit që kemi patur në shumë aktivitete tonat si rrjet. Ajo që stafi i projektit ka bërë në drejtim të aftësimit tonë profesional dhe ngritjes së strukturave në dy vite, nuk është bërë në 30 vite. Varet nga ne që t’i vëmë në zbatim këto dije dhe ta bëjmë rrugën sa më të shkurtër dhe të suksesshme, drejt integrimit të plotë në BE. Një falënderim nga zera, jo vetëm në emrin tim dhe të kolegëve, por edhe të qytetarëve!”.