Skip to main content

Në datën 5 dhjetor 2023, është zhvilluar mbledhja e Komitetit Drejtues të Projektit “Bashkitë për në Evropë”.
Mbledhja e drejtuar nga Ministri i Shtetit për Qeverisjen Lokale, ndërsa të pranishëm kanë qenë Znj. Marie AUGOUY, Menaxhere Programi për Qeverisjen Lokale dhe Zhvillimin Rajonal në Delegacionin e BE në Tiranë, Z. Ermal Elezi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, anëtarë të Komitetit Drejtues të Projektit.
Ministri Mazniku ka vënë theksin mbi rëndësinë e procesit të integrimit evropian, që sipas tij është “instrumenti më modern që ekziston, kur vjen fjala tek përmirësimi dhe rritja e kapaciteteve dhe standarteve të institucioneve të pushtetit lokal”. Sipas tij, “duhet të jemi sa më shpejt të gatshëm, sidomos sa i përket ndërtimit të kapaciteteve, kur vjen fjala tek sfidat e të ardhmes dhe duke marrë edhe shembujt më të mirë nga vendet e tjera”. 
Znj. Augouy është shprehur se puna 6-vjeçare e realizuar nga stafi i projektit, duke punuar me bashkitë dhe në mënyrë të veçantë me Njësitë e Integrimit Evropian, ka qenë e bazuar “në të mësuarit përmes punës, për të siguruar që projekti të zbatohej në kohë dhe në mënyrë sa më efektive”. Sipas saj, tani “ka ardhur koha që arritjet t’i dorëzohen Agjencisë, ndërkohë që vlerësohen kapacitetet e Agjencisë sa i përket mbledhjes së të dhënave, raportimit në nivel lokal e qëndror, pasi të tjera ushtrime të ngjashme do të jenë të nevojshme në të ardhmen”.
Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë ka bërë prezantimin e arritjeve të derisotme të projektit, si dhe ka folur për fazën përfundimtare të tij.
Znj. Trebicka ka bërë një prezantim gjithëpërfshirës, sa i përket komponentit të ndërtimit të kapaciteteve, transferuar në mënyrë graduale tek ASPA, procesit të Mapping / Matjes së performancës së bashkive në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që tashmë ka nisur puna mes Ministrisë, AMVV dhe ASPA, me krijimin e një Grupi Pune për identifikimin e indikatorëve dhe daljen me një raport të vetëm. Znj. Trebicka bëri të ditur se ekspertët e projektit do të vazhdojnë të asistojnë Agjencinë në këtë proces.
Tema të tjera të diskutuara ishte vazhdimëria e mirëmbajtjes së bazës së të dhënave sa i përket projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, platformës së brendshme NING, bashkëpunimit të Njësive të Integrimit Evropian me “Europe House” etj.
Po kështu, në 18 dhjetor do të organizohet një takim i zgjeruar mes projektit dhe stafit të AMVV, për të diskutuar mbi transferimin e proceseve të përditshme të bashkëpunimit me stafet e Njësive të Integrimit Evropian.