Cilësia e jetës së çdo qytetari në zonat urbane dhe rurale, varet kryesisht prej cilësisë së shërbimeve, infrastrukturës publike dhe hapësirës publike të krijuar dhe menaxhuar prej bashkive Dhe këto të fundit, luajnë një rol të jashtëzakonshëm në procesin e integrimit evropian, pasi 70% e legjislacionit të BE zbatohet pikërisht në nivel lokal.
Në këtë frymë, ditën e premte, 13 Tetor 2023, “BE për Bashkitë” dhe “Bashkitë për në Evropë”, dy projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencinë për Mbështetjen e Qeverisjes Vendore, Shoqatën për Autonominë Vendore, Rrjetin e Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore (NALAS), organizuan Forumin e Qeverisjes Lokale: “Bashkitë dhe procesi i integrimit në BE: Shkëmbimi i praktikave të mira në Evropën Juglindore”.
Takimi, i zhvilluar vetëm pak ditë përpara Samitit të Procesit të Berlinit, kishte për objektiv krijimin e një platforme dialogu dhe shkëmbimesh mes kryebashkiakëve dhe zyrtarëve të pushtetit lokal nga Shqipëria dhe vendet e Evropës Juglindore, për të ndarë praktikat më të mira mbi rolin e bashkive në procesin e integrimit në BE dhe instrumentat për të facilituar përthithjen e ndihmës financiare të BE për autoritetet lokale.
Në seancën e parë përshëndetëse të Forumit, dedikuar “Organeve të qeverisjes vendore dhe procesit të integrimit në BE”, kanë qenë të pranishëm dhe kanë ndarë mendimet dhe idetë e tyre, Z. Arbian Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor, Z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë, Z. Hubert Perr, kreu i Departamentit të Bashkëpunimit në Delegacionin e BE në Tiranë, Znj. Emiriana Sako, kryetare e Bashkisë Durrës, Z. Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë Elbasan, Z. Kelmend Zajazi, Drejtor Ekzekutiv i NALAS. Seanca është moderuar nga Z. Elton Stafa, Drejtues i Projektit “BE për Bashkitë”.
Një seancë e posaçme iu dedikua “Rolit strukturor të bashkive dhe shoqatave të tyre në procesin e anëtarësimit në BE”, gjatë të cilës, drejtuesja e Projektit Bashkitë për në Evropë, Znj. Jolanda Trebicka, ka prezantuar Raportin e “Performancës së Bashkive në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit në BE”, realizuar nga “Bashkitë për në Evropë dhe AMVV. Në po këtë seancë, kanë ndarë idetë e tyre Z. Ermal Elezi, Drejtor i Përgjithshëm i AMVV, Znj. Eriselda Sefa, kryetare e Bashkisë Lushnje, Z. Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë Kavajë, Z. Thomas Prok, qendra KDZ për Kërkime në Administratën Publike, Austri, Z. Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv, shoqata e bashkive të Kosovës, Z. ndërkohë që Z. Marko Ercegoviç, Shoqata e Bashkive të Kroacisë u është drejtuar të pranishmëve nëpërmjet një lidhje videofonike.
Seanca mbi “Ndihmën financiare të BE për organet e qeverisjes lokale dhe komunitetet lokale – kapacitete, sisteme dhe mësimet e nxjerra për të mbështetur bashkitë për qasje në ndihimën financiare të BE”, është moderuar nga Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”. Në këtë seancë kanë ndarë mendimet, vërejtjet dhe idetë e tyre Z. Ilir Beqaj, Drejtor i Agjencisë Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës, Znj. Alma Hoxha, kryetare e Bashkisë Përmet, Z. Hil Curri, Kryetar i Bashkisë Fushë-Arrëz, Z. Fran Brahimi, Drejtor i Financave Lokale në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, Z. Elton Stafa, Drejtues i Projektit “BE për Bashkitë”, Znj. Vanja Starovlah, zëvendës sekretare e përgjithshme, Unioni i bashkive të Malit të Zi dhe Aznj. Afërdita Dema, zëvendës drejtore ekzekutive, Shoqata Kombëtare e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore e Republikës së Maqedonisë.
Fjalën e fundit, me përmbledhje të mesazheve dhe konkluzioneve të nxjerra gjatë diskutimeve në seancat e Forumit e ka mbajtur Znj. Marie Augoy, Menaxhere Programi në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Z. Elton Stafa, Drejtues i Projektit “BE për Bashkitë”.