Skip to main content

ASPA dhe “Bashkitë për në Evropë” kanë nisur serinë e trajnimeve mbi Politikat dhe Legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Duke patur parasysh edhe kontekstin e hapjes së negociatave, dhe të vetëdijshëm për rolin që njësitë e qeverisjes vendore kanë në procesin e integrimit të Shqipërisë, trajnimet po zhvillohen me grupe nëpunësish nga sektorë të ndryshëm, në strukturat e bashkive të Shqipërisë.
Trajnimi i parë i zhvilluar në datat 20-21 tetor 2022, i fokusuar tek temat e “Mbrojtjes Sociale, Punësimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve”.
Në ditën e parë, të pranishmit janë përshëndetur nga Znj. Blerta Hyska, Menaxhere Trajnimesh në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike dhe Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë”.
Të pranishmit kanë marrë informacione dhe janë njohur me politikat e BE-së, sidomos sa i përket Mbrojtjes Sociale dhe Punësimit sipas kapitullit të Acquis të BE-së, ku prezantuese ka qenë ekspertja Aida Gugu.
Në lidhje me sfidat e zbatimit të Acquis të BE-së sa u përket politikave të mbrojtjes sociale dhe punësimit në nivel vendor, folës ka qenë Z. Kastriot Sulka.
Në ditën e dytë të trainimit, janë diskutuar tema që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit, ku ekspertja Aida Gugu ka folur në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit sipas Acquis të bE-së dhe detyrimet që ka Shqipëria.
Tema që ka sjellë shumë diskutime mes të pranishmëve dhe ekspertes, Ersida Teliti, ka qenë ajo e strukturave të mbrojtjes së konsumatorit në nivel vendor, ku janë sjellë shembuj konkretë nga përditshmëria e punës së këtyre strukturave.
NË ditën e dytë të trainimit është diskutuar gjithashtu mbi rëndësinë e statistikave dhe prokurimit publik, si dhe detyrimet për Shqipërinë.
Trajnimi, i pari i kësaj serie, është organizuar si një kombinim mes prezantimeve teorike nga ana e ekspertëve dhe ushtrimeve mbi zbatimet praktike në terren të temave të trajtuara.