Përgjatë gjithë javës që nisi në 18 nëntor, Bashkia e Prrenjasit ka zhvilluar një seri aktivitetesh në kuadër të Ditëve Evropiane të Solidaritetit Lokal, ku ndër më kryesorët e të cilëve janë zhvilluar në bashkëpunim me gjimnazistët e Gjimnazit “Ahmet Elezi” në Njësinë Administrative të Stavrajt si dhe ata të gjimnazit “Arif Kuka”, në njësinë administrative të Qukësit.
Ndër temat kryesore ku janë fokusuar të pranishmit në këto aktivitete, të koordinuara nga Njësia e Integrimit Evropian e Bashkisë së Prrenjasit, kanë qenë “Mbrojtja e mjedisit, pastrimi nga mbetjet urbane”, shoqëruar me aktivitete sportive.
Në total më shumë se 350 nxënës janë angazhuar në zhvillimin e këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese, ku nxënësit kanë bërë një punë të lavdërueshme në pastrimin e lumit Shkumbin, pastrimin e territoreve të banimit në Njësinë Stavraj etj.
Aktivitetet e javës janë kombinuar edhe me veprimtari kulturore dhe sportive, si konkursi i vizatimit me temë mbrojtjen e mjedisit, apo një kampionat volejbolli dhe futbolli mes shkollave.