“BE i kushton rëndësi të veçantë qeverisjes vendore në Shqipëri”. Turi i BpE vazhdon në Memaliaj

  • Posted on: 28 September 2020
  • By: admin

Udhëtimi i Delegacionit të Bashkimit Evropian nëpër bashkitë e Shqipërisë, i nisur që në muajin shkurt të vitit 2020 në qytetin e Vlorës nga AMbasadori i BE-së në Shqipëri, Z. Luigi Soreca, ka vazhduar në Bashkinë e Memaliajt.

Aktivitetet e mëdha në bashkitë e Shqipërisë, të cilat për shkak të situatës së pandemisë po zhvillohen online, përveç shkëmbimit të mendimeve me stafet e bashkive, kanë për qëllim prezantimin e Raportit më të fundit të Vlerësimit të Performancës së 61 bashkive në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Në takimin e radhës në Memaliaj, moderuar nga drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, znj. Jolanda Trebicka, kanë qenë të pranishëm Znj. Edmonda Harizi, Nënkryetare e Bashkisë Memaliaj, Z. Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Znj. Xheni Sinakoli, Oficere Programi për Sektorin e Arsimit në Delegacionin e BE në Shqipëri, si dhe nëpunës të bashkisë Memaliaj dhe pjesëtarë të Këshillit Bashkiak.

Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore është shprehur se “vlera e Raportit qëndron në ndërgjegjësimin e të gjithëve ne, për të parë se ku jemi aktualisht me hapat e integrimit. Nëse duam të bëhemi pjesë e Evropës, ne duhet të përmbushim angazhimin tonë. Dhe duhet të përmbushet jo vetëm nga një struktura, por nga të gjitha strukturat”, u shpreh Z. Murati. Më tej, ai shtoi se “ka patur jo pak skepticizëm kur ne ngritëm strukturat e integrimit evropian pranë bashkive të Shqipërisë. Por tashmë, me daljen e Vendimit të Qeverisë, detyrat e këtyre strukturave janë shumë mirë të përcaktuara, dhe unë u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive që të mbështeten fort tek këto struktura, si pika kyçe sa i përket procesit të integrimit dhe, siç ka thënë Ambasadori Soreca, si ambasadorë të BE pranë bashkive”.

Xheni Sinakoli, Oficere Programi për Sektorin e Arsimit në Delegacionin e BE në Shqipëri, u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të bëra nga ana e Delegacionit të BE në Shqipëri, “gjërat nuk mund të ndodhin pa kontrbutin e qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Prandaj Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të veçantë qeverisjes vendore në Shqipëri, të vetëdijshëm se më shumë se 70 përqind e legjislacionit të BE, do të implementohet pikërisht në një nivel lokal. Fokusi i BE është veçanërisht në ofrimin e asistencës teknike për njësitë e qeverisjes vendore, me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre si dhe përmirësimin e performancës, sidomos për ato fusha që lidhen me procesin e integrimit në BE”.

Më tej, ekspertet e “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, u kanë bërë të pranishmëve prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Performancës, si dhe një pasqyrë të mbështetjes konkrete që BE ka dhënë ndër vite për Shqipërinë.