“Bashkitë, përfitueset kryesore të granteve të BE”. BpE zhvillon takim në Bashkinë Finiq

  • Posted on: 29 September 2020
  • By: admin

“Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, ka vijuar në bashkinë e Finiqit, turin e takimeve në Bashkitë e Shqipërisë, për prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Performancës “Bashkitë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.
Në takimin e radhës, që është moderuar nga përgjegjësi i Zyrës së Integrimit Evropian në Bashkinë e Finiqit, Z. Gjergji Mano, kanë qenë të pranishëm kryetari i bashkisë, Z. Kristo Kiço, Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati, Z. Enzo Damiani, përfaqësues nga Delegacioni i BE në Shqipëri, Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, si dhe punonjës të bashkisë Finiq dhe përfaqësues të Këshillit Bashkiak.
Kryetari i Bashkisë Finiq, Z. Kristaq Kiço, duke përshëndetur takimin, ka folur për peshën e madhe që ka në jetën e komunitetit, puna e organeve të qeverisjes vendore. “Për gjithçka, që nga siguria, deri tek furnizimet e përditshme, qytetarët i drejtohen derës së bashksë, edhe në rastet kur këto bien jashtë kompetencave të saj. Ne jemi institucionet më pranë qytetarëve, dhe për këtë arsye, në gjykimin tim, fuqizimi i kapaciteteve tona, sidomos në rrugën që kemi drejt procesit të integrimit evropian, duhet të jetë parësor. 
Enzo Damiani, përfaqësuesi i delegacionit të Bashkimit Evropian në këtë takim u shpreh se “BE po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje ofrimit të asistencës teknike për Shqipërinë. Kjo buron nga fakti se, ai që ne e quajmë Acquis, dhe që është praktikisht tërësia e ligjeve të Bashkimit Evropian, zbatohet në pjesën dërrmuese të vet në një nivel lokal. Dhe siç është shprehur edhe Ambasadori Soreca, në fakt ne i shohim përgjegjësit e Njësive të Integrimit Evropian, si ambasadorë të bashkive të Shqipërisë në BE. Pra, BE konsideron si aktorë të vërtetë të zhvillimit, pikërisht të gjithë administratorët, stafet e këtyre institucioneve të pushtetit vendor”, tha ai. Më tej, Z. Damiani ka folur për “paketën e madhe të ndihmës financiare prej 34 milion Euro, që BE ka lançuar tashmë në ndihmë të Shqipërisë. Dhe e rëndësishme është të theksohet një gjë: Bashkitë janë përfitueset parësore të këtyre granteve, dhe Njësitë e Integrimit Evropian duhet të fuqizohen dhe të vihen sa më shumë në funksion të përgatitjes së projekteve dhe përthithjes së këtyre fondeve që BE i akordon Shqipërisë”.
Drejtori i Përgjithshëm i AMVV, Z. Bekim Murati u shpreh se “është viti i tretë që ne përgatisim Raportin e Vlerësimit të Performancës së Bashkive, dhe vit pas viti kemi parë një prirje përmirësuese të kësaj performance. Duhet të mos harrojmë për asnjë çast në punën tonë të përditshme, një fakt themelor: mbi 70 përqind e akteve ligjore që duhet të përafrohen me legjislacionin e BE, do të duhet të zbatohen në nivel vendor. Dhe pikërisht për këtë arsye, detyrat e bashkive janë tejet të rëndësishme dhe ato kanë marrë një vlerë të shtuar në këtë proces. Dhe për këtë arsye merr një rëndësi jetike konsolidimi i strukturave të integrimit evropian, që ngritëm duke nisur 3 vjet më parë ne si AMVV në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, me delegacionin e BE dhe Projektin “Bashkitë për në Evropë”. 
Edhe pse ka patur skepticizëm, apo paqartësi mbi funksionimin dhe rolin e tyre, ne si AMVV kemi siguruar të gjitha aktet e nevojshme për organet e qeverisjes vendore, sa i përket rolit të këtyre strukturave në procesin e integrimit evropian”, tha Z. Murati. Drejtori i Përgjithshëm i AMVV ka shtuar megjithatë se, “që puna të ecë përpara duhet që të gjithë aktorët të jenë në një linjë, jo vetëm këto struktura, por duke filluar që nga kryetarët, stafet e tyre dhe stafet e bashkive, dhe sidomos një rol shumë të rëndësishëm do të kenë anëtarët e këshillave bashkiake. Ata duhet të informohen vetë dhe duhet që të monitorojnë punën që po bën bashkia në procesin e integrimit”.
Më tej, Drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, ka bërë një prezantim të gjetjeve të Raportit të Vlerësimit të Performancës.