Skip to main content

Seria e takimeve online të organizuara nga “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, ka vazhduar në Bashkinë e Sarandës. Në takimin e koordinuar me Njësinë e Integrimit Evropian pranë kësaj Bashkie, është bërë prezantimi i Raportit “Bashkitë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, i cili bën një vlerësim të performancës së bashkive, sa u përket treguese që kanë të bëjnë me hapat në drejtim të integrimit.

Z. Bekim Murati, drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, u ka kujtuar të pranishmëve në takim se “e rëndësishme është që këto detyra që dalin prej këtij raporti, të shihen me kujdes dhe të nxirren mësimet e duhura me qëllim që të angazhohemi më shumë për t’i realizuar ato, sepse ky është një proces që do të zgjasë. Prandaj kërkon më shumë sinergji dhe angazhim nga të gjithë faktorët. Krahas administratës vendore që duhet të jetë e angazhuar duke koordinuar me strukturën e integrimit, duhet që edhe këshilltarët bashkiakë të organizohen, të informohen, të jenë pjesë dhe të koordinojnë veprimet e tyre, të kenë informacionin e nevojshëm mbi proceset e integrimit, që lidhen pazgjidhshmërisht me punën e bashkisë.  Eshtë shumë e nevojshme që përfaqësuesit e këshillave bashkiakë, që kanë marrë votën e elektoratit të dinë se si po ecën procesi dhe se si duhet të shkojë më tutje”, tha ai, duke shtuar se “ne duam që nëpërmjet këshilltarëve apo administratës së bashkisë të kemi mundësinë të krijojmë hapësirën që të gjithë aktorët të bashkërendojnë punën e tyre në lidhje me proceset e integrimit”.

Drejtuesja e Projektit  “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, ka tërhequr vëmendjen sidomos sa i përket rëndësisë që u duhet kushtuar dhe mbështetjes që u duhet dhënë Njësive të Integrimit Evropian në bashkitë e Shqipërisë, nga ana e drejtuesve të pushtetit lokal. Sipas saj, “studimi më i fundit i realizuar ka treguar se edhe Shqipëria, zbatimin e legjislacionit të BE do ta ketë pikërisht sa edhe mesatarja e vendeve të tjera që kanë aderuar, domethënë më shumë se 70 përqind. Raporti që ne prezantojmë sot, mat pikërisht performancën e këtyre treguesve sa i përket zbatimit të këtij legjislacioni”, tha ajo.

Më tej, ekspertet Mirsa Titka dhe Iva Çoku kanë prezantuar respektivisht Raportin si dhe kanë bërë një pasqyrë të financimeve që Bashkimi Evropian ka dhënë për Shqipërinë.