“Bashkitë, aktorë kyç në procesin e integrimit evropian”. “BpE” vijon takimet në Kuçovë

  • Posted on: 1 October 2020
  • By: admin

Takimi u moderua nga ana e Përgjegjëses së Sektorit të Integrimit Evropian në Bashkinë Kuçovë, Znj. Kristina Zoga, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Z. , Z. Orlando Fusco, Oficer Programi për Qeverisjen e mirë në Delegacionin e BE, Z. Bekim Murati, drejtor i përgjithshëm i AMVV, Znj. Jolanda Trebicka, drejtues e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, si dhe përfaqësues të Bashkisë Kuçovë, të Këshillit Bashkiak, dhe ekspertë e anëtarë të ekipit të BpE.

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Z. Kreshnik Hajdari, teksa ka vlerësuar asistencën e delegacionit të BE në procesin e integrimit të Shqipërisë, ka thënë se “jemi të vetëdijshëm që ky integrim, nuk mund të ndodhë pa kontributin e qeverisjes lokale. Ne jemi të angazhuar seriozisht për fuqizimin e kapaciteteve tona, sidomos për ato fusha që lidhen me këtë proces kaq jetik për Shqipërinë. Eshtë e ditur që pushteti lokal përballet me sfida të shumta në përditshmëri, por më duhet të them se kemi patur mbështetjen e vazhdueshme të AMVV, të projektit “Bashkitë për në Evropë” si dhe të delegacionit të BE, për përballimin e këtyre sfidave. Konkretisht, Njësia e Integrimit Evropian, një strukturë e krijuar falë këtij bashkëpunimi, ka bërë një punë tejet të rëndësishme sa i përket informimit dhe vetëdijësimit të qytetarëve mbi procesin e integrimit evropian dhe unë mendoj se konsolidimi i mëtejshëm i kësaj strukture, është një domosdoshmëri jo vetëm për ne, por për të gjitha organet e pushtetit vendor”.

Z. Orlando Fusco u është drejtuar të pranishmëve në takimin online se, “edhe nëse ndokush kishte ende dyshime mbi atë çfarë bashkitë duhet të bëjnë në procesin e integrimit, pas diskutimit të sotëm, këto dyshime nuk duhet të ekzistojnë më. Raporti që prezantojmë sot përfshin shumë prej kapitujve të Acqui, që do të thotë se pjesa më e madhe e tyre do të zbatohen në nivel lokal. Duke qenë se bashkitë janë një aktor kyç në këtë proces, ne besojmë se përgatitja e duhur, angazhimi i plotë i qeverisjes lokale dhe ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme në nivel lokal, është diçka thelbësore, nëse duam që nesër bashkitë të ofrojnë kontributin e tyre për këtë objektiv strategjik të Shqipërisë.

Padyshim, një pjesë të madhe të punës u takon ta bëjnë edhe aktorët e tjerë, si autoritetet qendrore. Kjo është arsyeja përse ne dje e prezantuam këtë raport tek Këshilli KOnsultativ, dhe u bëmë thirrje ministrive që të punojnë së bashku më bashkitë, dhe t’i ndihmojnë ato që të përmirësojnë performancën e tyre.  Ne jemi të kënaqur që ky proces i vlerësimit të performancës, po udhëhiqet tashmë nga Ministria e Brendshme dhe AMVV. Thirrja ime për ju është që të shikoni veçanërisht me kujdes rekomandimet. Pikërisht aty mund të bëni diferencën. Unë do të rekomandoja që ta përdorni këtë Raport si një dokument referimi, si një pasqyrë për të parë veten ku jeni dhe çfarë mund të përmirësoni në të ardhmen”.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe Z. Bekim Murati, sipas të cilit “sot ne mund të themi me krenari se sot kemi të ngritura 61 struktura të integrimit evropian në bashki, padyshim që ka ende vend për konsolidimin e tyre, por është një proces që ka nisur tashmë dhe ne do ta çojmë deri në fund. Raporti i Vlerësimit të Performancës, i treti tashmë, është një pasqyrë që na tregon se ku jemi dhe si duhet t’i qasemi të ardhmes. Ndihem mirë që në takimin e sotëm kemi edhe Kryetarin e Këshillit Bashkiak, pasi në gjykimin tim, ky proces bëhet më i plotë nëse angazhohen edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Ata janë përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të qytetarëve në bashki dhe unë mendoj se së bashku me ta duhet të gjenden sinergjitë e nevojshme, për të patur një proces gjithëpërfshirës dhe në fund, të suksesshëm. Natyrisht, edhe shoqëria civile duhet të bëhet një pjesë e këtij procesi, pasi ajo ka një rol të dyfishtë: monitoron punën e bashkive dhe në të njëjtën kohë jep një kontribut të vyer në implementimin e projekteve”.