Skip to main content

Roli i vetëqeverisjes vendore në zbatimin e serisë së ligjeve dhe rregullave të Bashkimit Evropian është tejet i rëndësishëm, në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ky ishte mesazhi që përshkoi takimin e zhvilluar në Bashkinë e Vaut të Dejës, në kuadër të turit të takimeve në të 61 bashkitë e Shqipërisë për prezantimin e Raportit të Vlerësimit 2018, organizuar nga “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.

Takimi i zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak, është përshëndetur nga Z. Mark Babani, Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Z. Orlando Fusco, Oficer Programi për Qeverisjen e Mirë në Delegacionin e BE në Tiranë, Z. Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore ndërkohë që të pranishëm kanë qenë përfaqësues të këshillit bashkiak të qytetit, të administratës, shoqërisë civile dhe komunitetit të Vaut të Dejës.

“E ardhmja e Shqipërisë është nga perëndimi, dhe aspiratat tona janë të pandryshueshme”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës. Ai ka përgëzuar Projektin “Bashkitë për në Evropë”, dhe punën e bërë nga ana e tij, sidomos për hapat e hedhura deri më sot në dy drejtime: “ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët, dhe organizatat e shoqërisë civile. Kjo falë ngritjes, funksionimit dhe mbështetjes së pakursyer për Njësinë e Integrimit Evropian në bashki”, e cila drejtohet nga Znj. Entela Kolaj.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE, Z. Fusco, është ndalur tek Raporti i vlerësimit 2018, si dhe rëndësia e gjetjeve dhe rekomandimeve që ai përmban. Ky raport është “një pasqyrë ku ju mund të shihni veten tuaj. Ku ndodheni sot dhe ku duhet të shkoni në të nesërmen, sa i përket zbatimit të Acquis. Disa prej jush mund të pyesni, ç’lidhje kemi ne, apo ç’lidhje kanë bashkitë me këtë proces. Po jua them thjeshtë: 70 përqind e legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me pushtetin lokal dhe me qytetarët”, u tha të pranishmëve Z. Fusco. Sipas tij, “raporti i dytë tregon një zotërim më të madh të procesit nga Ministria e Brendshme dhe bashkitë, ndërkohë që palët do të mbështeten edhe nga delegacioni, që ky të shndërrohet në një ushtrim të rregullt e të përvitshëm”.

Z. Bekim Murati ka siguruar për mbështetjen e institucionit që ai drejton, sa i përket këtij procesi tejet të rëndësishëm dhe sfidues, i cili kërkon përpjekje si të administratës qendrore, ashtu edhe asaj vendore. “AMVV do të jetë një partner tejet i gatshëm për të asistuar dhe ndërmjetësuar në këtë proces”, deklaroi ai.

Menaxherja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka ka bërë një prezantim të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të dytë të Vlerësimit (2018), ndërkohë që ka thënë se “skepticizmi i fillimit i ka lënë vend konsolidimit të strukturave të integrimit në pushtetin lokal, tteksa edhe vetë kryetarët dhe administrata lokale vetëdijësohen mbi rëndësinë që ka raportimi në ndërtimin e një raporti si ky që po prezantojmë sot. Një raport, i cili është fotografia e gjendjes së sotme të institucioneve të pushtetit lokal

Në vijim, pas një prezantimi mbi fondet që Bashkimi Evropian akordon për projektet në nivel lokal nga Znj. Iva Çoku, të pranishmit në takim janë angazhuar në një seancë intensive pyetje-përgjigjesh dhe diskutimesh.

Turi i projektit Bashkitë për në Evropë do të vazhdojë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.