Dita e Kulturës Pukjane njëkohësisht dhe hapja e sezonit turistik, këtë vit në qytetin e Pukës u realizua me mbështetjen e projektit ‘Bashkitë për në Evropë’.
I konsideruar si një aktivitet i cili këtë vit ndërthuret edhe me Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore, Dita e Kulturës Pukjane, u zhvillua në disa forma. Në fillim u organizua një tryezë e rrumbullakët për të folur mbi potencialet kulturore dhe natyrore të zonës dhe rolin e tyre në zhvillimin e turizmit në këtë rajon.
Në këtë debat tematik, morën pjesë: Z. Gjon Gjonaj, Kryetar Bashkisë së Pukës, Znj. SULKA Entela, përfaqësuese e Delegacionit të BE në Shqipëri, Z. Bekim Murati, Drejtor i Përgjithshëm i AMVV, Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e Projektit ‘Bashkitë për në Evrope’, Znj. Majlinda Lacaj, Drejtore e Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare, Shkodër, Z. Leonard Maçi, Drejtor i Marketingut dhe Promocionit, AKT, si dhe shumë përfaqësues të institucioneve vendore në qytetin e Pukës, organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të biznesit, të cilët shprehën mendime dhe opinione të ndryshme për gjetjen e strategjive të duhura që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Pukës përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe cilësor të turizmit, si dhe ruajtjen dhe përdorimin e traditës e kulturës pukjane në funksion të tij.
Më tej, Dita e Kulturës Pukjane u shoqërua me një prezantim në formën e panairit në të cilin ishin të ekspozuara dhe u promovuan produkteve artizanale të prodhuara mjeshtërisht nga banorët e zonës.
Në mbyllje të kësaj dite, vallet, këngët dhe veshjet tradicionale të rajonit të Pukës ishin edhe kartolina me e mirë e përcjellë në kuadër të hapjes së sezonit turistik në këtë qytet.