Skip to main content

Në kuadër së Javës së Gjelbër të Bashkimit Evropian: “www.eugreenweek.eu - një aktivitet ndërkombëtar që festohet në mbarë Evropën”, Këndi i BE në Tepelenë në bashkëpunim me Projektin Bashkitë për në Evropë dhe bashkinë e qytetit, organizuan një debat tematik, mbi potencialet e gjelbëra të rajonit të Tepelenës dhe mundësitë e turizmit kulturor në këtë qytet.

Në këtë takim morën pjesë, Z. Tërmet Peçi, Kryetar i Bashkisë, Znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Kulturës, Z. Bledi Çuçi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Prof. Dr. Ardit Bido, Drejtor i Arkivës Qendrore Shtetërore, si dhe shumë personalitete të tjera nga fusha e sipërmarrjes së agro - turizmit dhe turizmin kulturor, nga shoqëria civile dhe profesionistë të lirë, njerëz të artit dhe kulturës. 

Ky aktivitet pati në qendër të vëmendjes promovimin natyrës, traditës dhe turizmit kulturor në rajonin e Tepelenës duke kombinuar së bashku, Javën e Ali Pashë Tepelenës, Javën Evropiane të Gjelbër si dhe Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore.

Gjatë takimit në fjalën e saj, Znj Kumbaro u shpreh se nuk mund të ketë ruajtje të trashëgimisë dhe të mjedisit të gjelbër në asnjë qytet të vendit nëse vetë qytetarët nuk ruajnë më fanatizëm natyrën, ambjentin dhe çdo gjë të vyer të trashëguar ndër shekuj. Ajo solli në vëmendje, punën e bërë për restaurimin e Kalasë së Ali Pashës në Tepelenë, një monument që nuk kontribuon vetëm në pamjen e qytetit por mbi të gjitha në vizitueshmërinë e qytetit nga turistë vendas dhe të huaj.

Oratorë të shumtë në këtë debat, ofruan për publikun kumtesa të spikatura në lidhje me trashëgiminë kulturore të Tepelenës dhe shfrytëzimit me kujdes të potencialeve të saj turistike natyrore dhe të trashëgimisë sa pasur kulturore.

Ky takim tematik, u shoqërua me një vizitë të përbashkët në panairin e produkteve të zonës si dhe me një ekspeditë në rajonin e Bënçës për të vizituar ujësjellësin e ndërtuar shekuj më parë nga Ali Pasha.