VLORE, 9 MAJ 2019 - Në kuadër të Ditës së Evropës Njësia e Integrimit Evropian në Bashkinë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale të qytetit, zhvilloi një aktivitet festiv me nxënës të shkollave 9-Vjeçare të Bashkisë Vlorë.
Aktiviteti u zhvillua në dy pjesë.
Pjesa e parë, me temë “Evropa në shkollën time”, ishte një seancë informuese në lidhje me njohuritë që të rinjtë duhet të kenë për funksionimin e BE, mbështetjen që Unioni jep për Shqipërinë, si dhe rrugën që vendi ynë duhet të ndjekë drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Formati i aktivitetit ishte një ndërthurje e informimit dhe argëtimit, me njohuri historike, kuriozitete, punime me dorë, lojëra, poezi dhe këngë mbi Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, pjesa e dytë e aktivitetit ishte e fokusuar në “Mënyra argëtuese për të qëndruar larg ekraneve dhe celularëve, ku dy grupe nxënësish demostruan me argumente në gjuhë të huaja, postera, quize, lojëra, këngë, mënyra sesi mund të argëtohen duke iu rikthyer fëmijërisë, larg smartphone-ve.
Mesazhi që përcolli ky aktivitet fokusohej tek vullnetarizmi dhe përfshirja si fjalët kyçe. Duke qenë aktivë, të përkushtuar dhe duke marrë iniciativa të tilla edukuese, në qytetin tonë, mund të ofrojmë shembullin më të mirë se si të jemi qytetarë të denjë të Evropës së bashkuar.