Skip to main content
Submitted by admin on 27 June 2019

KËSHILLTARË PËR NJË DITË!

PATOS, 9 MAJ - Me rastin e Ditës së Europës, Njësia për Integrimin Europian dhe Ndihmë e Huaj pranë Bashkisë Patos, organizoi me të rinjtë më të mirë të gjimnazeve të qytetit një mbledhje të simuluar të Këshillit Bashkiak të qytetit. Të pranishëm ishin Kryetare e Bashkisë, Kryetari i Këshillit dhe Sekretari të cilët u shpjeguan të rinjve "këshilltarë" organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak, rolin që kanë qytetarët në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe rëndësinë që ka informimi i komunitetit mbi veprimtarinë e Këshillit.

"Të rinjtë janë motorri kryesor që lëviz shoqërinë, ndaj ëndrra për familjen europianë ka fytyrën e të rinjve tanë”-u shpreh Kryebashkiakja Balilaj. “Dhe unë ju bëj thirrje që të përqafoni vlerat evropiane, të cilat janë në qendër të festimeve të Javës së Evropës këtë vit: angazhimi qytetar dhe vullnetarizmi”.

Pika e fundit e rendit të ditës ishte miratimi i projektvendimit: “Paketë solidariteti për të moshuarit e qytetit” , i cili u votua unanimisht PRO nga të gjithë anëtarët!

Njësia e Integrimit sëbashku me senatorët e shkollave të cilët “miratuan” më parë në Këshillin Bashkiak këtë paketë solidariteti, vizituan Klubin e Pensionistëve të qytetit, duke u shërbyer në tavolinat e tyre të lojës.

Europa ka një histori mbi 70 vjeçare, një ëndërr që ka nisur qysh kur këta të moshuar kanë qenë të rinj, ndaj mesazhi sot ishte i qartë: Jemi afër realizimit të kësaj ëndrre!