Me rastin e aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të Javës së Evropës, Bashkia Shkodër, me angazhimin e Njësisë së Integrimit Evropian, ka zhvilluar në Qendrën Rinore “Atelie” aktivitetin me temë “Roli i bashkive në procesin e integrimit evropian”.
Duke marrë shkas nga fakti që këtë vit, Java e Evropës u është dedikuar tërësisht të rinjve, fuqisë së tyre për të kontribuar në krijimin e marrëdhënieve të forta dhe afatgjata me BE-në, rolit të tyre në zhvillimet demokratike në Shqipëri, edhe takimi është realizuar në formën e një diskutimi me të rinjtë e qytetit.
Me të rinjtë e pranishëm, gjimnazistë dhe studentët të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ka bashkëbiseduar Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Znj Voltana Ademi, e cila ka përcjellë mesazhet e vullnetarizmit dhe angazhimit të të rinjve, si vlera evropiane, të cilat e bëjnë edhe më dinamike jetën e qytetit.
Aktiviteti është shoqëruar edhe me një program artistik të përgatitur nga të rinjtë e qytetit të Shkodrës.