Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore në bashkëpunim me Projektin “Bashkitë për në Evropë”, organizuan në datën 5 Korrik 2018, në ambjentet e Shtëpisë së Evropës “House of Europe” në Tiranë, një takim pune mbi “Treguesit e Vlerësimit të Performancës së Bashkive” në kuadër të Integrimit Evropian të vendit.
Takimi u drejtua nga Z.Bekim Murati, Drejtori i Përgjithshëm i Agjensise së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore, Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”, si dhe Z. Orlando Fusco, Attashe dhe Menaxheri i Programit për Qeverisjen e mirë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.
Në këtë takim morën pjesë, përfaqësues nga Ministri dhe institucionë të ndryshme të qeverisë shqiptare, duke qenë që në fokus të këtij takimi ishte bashkërendimi i punës midis qeverisë vendore dhe asaj qendrore në lidhje me këtë çështje.
Në fund të vitit 2017, u realizua vlerësimi i parë i përformancës së bashkive të vendit në kuadër të procesit të integrimit evropian. Procesi i vlerësimit u bazua në një sërë treguesish të përzgjedhur duke pasur parasysh “Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2017-2020”, “Raportin e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë 2016”, si dhe të gjitha dokumentet strategjike e politike kombëtare, dhe bazën ligjore të çdo fushe të kritereve të anëtarësimit në BE, në të cilat qeveria vendore ka përgjegjësi, brenda kuadrit të funksioneve të vetëqeverisjes vendore përcaktuar në ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Realizimi i këtij procesi të parë vlerësimi, u bazua në vetëdeklarimin e të dhënave nga ana e bashkive mbi një numër të përcaktuar treguesish të përzgjedhur.
Takimi i sotëm, përbën një shtysë të mëtejëshme të kësaj pune të filluar tashmë, duke koordinuar punën më të gjitha ministritë në nivel qendror, me qëllim për të siguruar një harmonizim sa më të plotë të treguesve të përzgjedhur të vlerësimit me kuadrin strategjik sektorial. Gjithashtu, përfshirja e qeverisë qendrore në këtë proces, do të kishte një vlerë të shtuar në procesin e verifikimit të të dhenave të raportuara nga bashkitë, me qëllim rritjen e krahasimeve dhe besueshmërisë që këto të dhëna janë të sakta.
Ky takim synoi fillimin e një procesi diskutimi me qeverinë qendrore në mënyrë sistematike, me qëllim harmonizimin në fazën e përcaktimit të treguesve dhe shqyrtimin e të dhenave të performancës së pushtetit vendor në të ardhmen.