Skip to main content

Këndi i Bashkimit Evropian në Bajram Curri, në bashkëpunim më bashkinë e këtij qytetit dhe me mbështetjen e projektit “Bashkitë për në Evropë”, realizuan në datën 17 Korrik 2018, në ambjentet e Muzeut Historik të qytetit, aktivitetin me temë “Punimet artizanale të grave tropojane në funksion të Ekoturizmit”.

Rajoni i Bajram Currit, njihet në mbarë vendin, për një artizanat tejet të pasur, traditë kjo e përcjellë ndër breza nga familjet e kësaj krahine, e që përbën sigurisht, edhe një prej potencialeve të zonës mbi të cilën mund të mbështetet turizmi dhe ekoturizmi i qëndrueshëm e zonës. Duke u nisur nga ky fakt, në kuadër edhe të Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, Këndi I BE në këtë qytet, ideoi dhe zbatoi këtë event, duke vënë theksin tek burimet dhe potencialet e kësaj krahinë, si pjesë e kulturës kombëtare, e cila do të duhet të kultivohet më tej, duke i dhënë turizmit shqiptar në rang kombëtar një vlerë të shtuar, por edhe duke i shtuar kulturës evropiane, një element të pa ekspozuar shumë në mjediset ndërkombëtare. 

Aktiviteti pati disa elementë. Në fillim të tij, u organizua një debat tematik mbi këtë temë, në të cilin morën fjalën të ftuar të ndryshëm si ; përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të projektit Bashkitë për në Evropë, përfaqësues të Delegacionit të BE në Shqipëri, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të fushës dhe qytetarë të thjeshtë. 

Në fjalën e saj, Znj Entela Sulko, përfaqësuese e Delegacionit të BE në shqipëri theksoi : “ Sipas shumë ekspertëve, Shqiperia është në listën e 10 vëndeve më interesante për të zhvilluar turizmin mbështetur në aventurën e natyrës, dhe me mundësi të qarta për një rritje të numrit të turistëve në vitet që vijnë. Por duhet bërë kujdes se kjo rritje mund të shoqërohet me rritjen e ndotjes ambientale, me keqpërdorim të burimeve ujore apo keqmenaxhim të mbetjeve të ngurta. Kjo do të sillte që turistët të mos riktheheshin përsëri. Pra ka një rëndësi ekstreme që mbrojtja e ambientit të jetë, që në hapat e parë, pjesë integrale e zhvillimit të turizmit”.

Oratorë të ndryshëm gjatë këtij debati tematik, vunë theksin tek nevoja e ruajties dhe pasurimit të kësaj tradite, si dhe gjetja e burimeve alternative ekonomike për krijimin e kurseve të veçanta të edukimit jo formal me qëllim  pasurimin e traditës së artizanatit, por edhe për sektorë të tjerë të turizmit në këtë krahinë, siç është turizmi malor. Mbështetja sidomos e grave të cilat e ushtrojnë prodhimin e produkteve të artizanatit, në drejtim të rritjes së cilësisë dhe marketimit të tyre në tregjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare e europiane ishtë një nga kërkesat e parashtrua nga organizatat e grave artizane në Tropojë. 

Më tej, të ftuarit në këtë debat, ndoqën një ekspozitë me punime artizanale të zonës si dhe një përformancë artistike me këngë e valle nga ansambli artistik “Dardania”, Tropojë.

Aktiviteti u mbyll me një tur në Parkun kombëtar “Lugina e Valbones”.