Zhvillohet mbledhja e 2-të e Komitetit Drejtues të projektit “Bashkitë për në Evropë”

  • Posted on: 28 February 2022
  • By: admin

U zhvillua takimi i 2-të i Komitetit Drejtues të Projektit “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësues të Projektit, delegacionit të BE, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, Agjencisë për Vetëqeverisjen Vendore, Zyrës së Kryenegociatorit dhe Shoqatës së Autonomisë Vendore, ishin të pranishëm në diskutimet që u zhvilluan në mjediset e Ministrisë së Brendshme.

Zv. Ministrja e Ministrisë së Brendshme Znj.Romina Kuko, duke përgëzuar punën e kryer nga projekti deri më sot, theksoi se Ministria e Brendshme mbetet tërësisht e angazhuar në rolin e saj mbështetës dhe koordinues në funksion të mbarëvajtjes dhe përshpejtimit të procesit të Integrimit Evropian, si dhe një partnere e palëkundur e Delegacionit të BE në Shqipëri. “Do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me partnerët tanë të BE dhe projektin “Bashkitë për në Evropë”, për fuqizimin e mëtejshëm të strukturave të integrimit evropian, si aktore kyçe në procesin e integrimit në nivel lokal”, u shpreh ajo.

Menaxheri i Projektit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Z. Orlando Fusco vuri theksin në faktin që, mbledhja së bashku e të gjitha projekteve të financuara nga BE në një tryezë, ku gjithëseci ka një detyrë të mirë përcaktuar në mbështetje të pushtetit vendor, plotëson kuadrin e mbështetjes që BE po jep në këtë drejtim. Sipas tij, “me mbështetjen e MB, AMVV, ASPA, MEFA e tashmë SASPAK, MFE dhe Shoqatave të Bashkive, Projekti ka arritur të ketë sukses në arritjen e objektivave”.

Drejtori i Përgjithshëm i AMVV, Z. Enea Hoti vlerësoi faktin se numri i bashkitve që tashmë po zbatojnë projekte te financuara nga BE po vjen në rritje, duke përfshirë edhe bashki të vogla ku më parë kanë munguar kapacitetet e nevojshme.

Ndërkohë, një prezantim të arritjeve të derisotme të projektit e bëri Drejtuesja e tij, Znj. Jolanda Trebicka.