Skip to main content

Në datën 12 prill 2022, projekti "BE për bashkitë" në bashkëpunim me projektin "Bashkitë për në Evropë", dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, kanë zhvilluar në Tiranë takimin rrjetëzues me pjesëmarrjen e drejtuesve të Njësive të Integrimit Evropian në 61 bashkitë e Shqipërisë, si dhe përfaqësues nga bashkitë e vendeve të Evropës Juglindore.
Dita e parë e takimit rrjetëzues u fokusua në ndarjen e përvojave nga vendet e rajonit për rrjetëzimin dhe sfidat e bashkëfinancimit të fondeve të Bashkimit Evropian, ndërkohë që dita e dytë u fokusua në hapjen e thirrjes së dytë për aplikime për grante nga ana e bashkive.
Nëpërmjet kësaj thirrje, Bashkimi Evropian ka rritur mbështetjen e financiare për 61 bashkitë shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve lokale, mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e të rinjve dhe komuniteteve vendore

Z. Orlando Fusco, menaxher programi i BE në Shqipëri u shpreh se "Fondet e BE-së mbulojnë të gjitha fushat e decentralizimit. BE ka rritur asistencën financiare dhe pothuajse çdo gjashtë muaj ka një thirrje për aplikime për grante për bashkitë tuaja. Thirrja e dytë për grante e #BEpërBashkitë do të mbështesë 12-15 bashki, kjo është një mundësi për të përmirësuar përvojën, performancën dhe shërbimet tuaja ndaj komuniteteve", u shpreh gjatë fjalës së tij hapëse, z. Fusco.
"Ne inkurajojmë të gjitha bashkitë të aplikojnë për grante pasi kjo është një mënyrë për të rritur investimet e bashkisë për komunitetin dhe në të njëjtën kohë për forcimin e kapaciteteve, një element kyç për sukses në proceset konkuruese të granteve", theksoi ekipi i projektit BE për Bashkitë.

 

Më poshtë disa prej mesazheve që u dhanë nga të pranishmit gjatë dy ditëve të takimit rrjetëzues:

Lenka Vitkova, Drejtuese e Sektorit të Mirëqeverisjes në Delegacionin e BE në Shqipëri:
"70% e legjislacionit të BE zbatohet në nivel lokal. Zhvillimi i bashkive është investim i rëndësishëm dhe afatgjatë, pasi mbështet komunitetet përmes shërbimeve vendore. Ndihma teknike dhe grantet janë mënyra si BE po mbështet 4 fusha të strategjisë së decentralizimit në Shqipëri".

Enea Hoti, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore
"Procesi burokratik i mbyllur në nivel qendror, tashmë është hapur në nivel vendor. Kështu direktivat e BE po zbatohen në nivel lokal, ku janë edhe më të prekshme. Vlerat evropiane prekin jetën e çdo qytetari dhe ju, drejtuesit e njësive të integrimit, e përcillni këtë frymë në komunitetet tuaja. Roli juaj është shumë i rëndësishëm, si struktura që e ndihmon këtë proces në nivel lokal"

Elton Stafa, Team Leader, EU4Municipalities
"Kërkohet një qasje më sinergjike, me qëllimin që jo e gjithë pesha të bjerë mbi shpatullat e ekipit të projektit EU4Municipalities, por edhe aktorët lokalë me funksione të ndryshme në institucionet bashkiake të bëhen më aktivë, për të bashkëpunuar në funksion të arritjes së objektivave.

Jolanda Trebicka, Menaxhere Projekti, "Bashkitë për në Evropë"
"Ne si asistencë teknike do të vazhdojmë të mbështesim bashkitë e Shqipërisë. Njësitë e Integrimit Evropian janë duke bërë një punë të shkëlqyer. Ajo që kërkohet në këto momente është një rritje e ndërgjegjësimit të kryetarëve të bashkive për rëndësinë e këtyre strukturave, gjë që ne do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe dy shoqatat e bashkive".

Kelmend Zajazi, Drejtor Ekzekutiv i NALAS
"Për NALAS, ky projekt dhe aktivitet ka një rëndësi të veçantë. Shkëmbimi i eksperiencave rajonale për cilësinë e shërbimeve lokale është me rëndësi, duke marrë parasysh standartet e BE-së. Mbështetja e bashkive për përmirësimin e shërbimeve lokale ka një rëndësi unike, pasi bën që qytetarët të ndjejnë të mirat e të qënit pjesë e familjes së BE.

Ilir Beqaj, Drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës
"Fondi prej 200 milionësh i parashikuar në programin buxhetor "Ekzekutim i pagesave të ndryshme", në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përdoret për parafinancimin, bashkëfinancimin dhe pagesën për tatimin mbi vlerën e shtuar, dhe detyrimet doganore për projektet me financim të huaj".

Adelina Farrici, Drejtuese e Shoqatës për Autonominë Vendore
"Eshtë shumë pozitiv fakti që 36 bashki kanë aplikuar për thirrjen e parë të granteve të shpallura në fazën e parë të projektit EU4Municipalities. Dua të bëj një thirrje për bashkitë e tjera që të mos dekurajohen, por të aplikojnë në këtë thirrje të dytë".

Agron Haxhimali, Drejtor i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë
"Kam një thirrje për bashkitë e mëdha që të tregohen më tolerante dhe të krijojnë më shumë mundësi për bashkitë e vogla, duke u treguar më mirëkuptues dhe krijuar më shumë hapësira për ta, që të përfitojnë prej këtyre granteve".

Keti Luarasi, Nënkryetare e Bashkisë Tiranë
"Projekti EU4M u ka hapur dyert bashkive për aplikim në skemën e granteve dhe për përthithjen e fondeve. Kemi shumë punë për të bërë bashkë me shoqërinë civile, për një drejtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian"

Vanja Starovlah, Zv. Sekretare e Përgjithshme e Unionit të Bashkive të Malit të Zi
"Shoqata e Bashkive në Malin e Zi po ashtu luan rol të rëndësishëm për menaxhimin e marrëdhënieve me bashkitë, kjo për t’i ndihmuar ato në kalimin e sfidave që lidhen me menaxhimin për shkak të ndryshimit të stafit, ndryshimet politike dhe nevojave të vazhdueshme për rritjen e kapaciteteve për të përthithur fondet e BE dhe menaxhimin e tyre".

Veselka Ivanova, Drejtore e Departamentit për Programet dhe Projektet e Bashkive, Shoqata Kombëtare e Bashkive të Bullgarisë
"Fondet e Bashkimit Evropian nuk krijojnë mrekulli. Ajo që nevojitet është që të menaxhohen mirë për të dhënë rezultate konkrete në të mirë të komunitetit".

Fran Brahimi, Drejtor i Financave Lokale në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë
"Ministria e Financave ka filluar të ndryshojë procedurat dhe praktikat e buxhetimit për t’iu përgjigjur sigurimit të fondeve të bashkëfinancimit dhe parafinancimit në ndihmë të bashkive. Shembujt e Malit të Zi janë të dobishëm për t’u konsideruar nga pala shqiptare, gjithmonë duke mos harruar mirëmenaxhimin e fondeve vendore".