Soreca: Shqipëria dhe BE kanë hyrë në një fazë të re, dhe ne duhet të punojmë bashkë si një ekip

Ambasadori i BE në Shqipëri, Z. Luigi Soreca dhe Kryenegociatori i Shqipërisë në BE, Ambasadori Zef Mazi, takim online me stafet e 61 bashkive të Shqipërisë. Soreca: “70 përqind e legjislacionit të Bashkimit Evropian, që është tejet i ngarkuar, sa i përket numrit të ligjeve dhe rregulloreve, duhet që të zbatohet nga qeverisja lokale. Kështu që, dy vitet e ardhshme të mandatit tim, do t’ia kushtoj ndihmës dhe mbështetjes për Z. Mazi, për qeverinë qendrore, por edhe qeverinë lokale, që ato të angazhohen në mënyrën e duhur në marrëdhëniet me Brukselin”

16 KORRIK 2020 - Eshtë kënaqësi të takohemi sërish. Eshtë kënaqësi të takohem edhe një herë me të gjithë koordinatorët. Më lejoni të shpreh vlerësimin tim për Ambasadorin Mazi, për pjesëmarrjen e tij në këtë takim. Unë tashmë kam patur rastin të takohem me Z. Mazi disa herë, ne kemi krijuar tashmë një marrëdhënie pune të qëndrueshme.

Kur unë i përmenda Z. Mazi, gjatë njërës prej bisedave tona, rolin e qeverisjes lokale, e ftova atë që të na bashkohet në një prej videokonferencave tona, me qëllim që të dëgjojë vetë nga goja e koordinatorëve, si dhe të krijojë një ndjesi, mbi rëndësinë e rrjetit që ne kemi krijuar.

Jam shumë i lumtur pra që Ambasadori Mazi është me ne. Dua të përshëndes gjithashtu zëvendësministren Kuko, për punën e saj në promovimin e dimensionit lokal dhe roli i Ministrisë së Brendshme është shumë i rëndësishëm, si dhe dua të përshëndes mikun tonë, Bekim Murati, drejtori

i përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, i cili na shoqëron me shumë profesionalizëm në punën tonë.

Jam i kënaqur që ju shoh të gjithëve, dhe gjithashtu të shoh dy persona që i kam takuar jo më larg se dje, në Vlorë dhe në Belsh, ku pata kënaqësinë të vizitoj dy Njësitë e Integrimit Evropian, gjatë “misionit tim në jug”. Kanë qenë vizitat e mia të para, pas krizës së pandemisë, dhe sigurisht që do të jenë të parat e një serie të re vizitash, që unë do të zhvilloj, nëse do jetë e mundur, tek secili prej jush. Unë kam takuar tashmë shumë prej jush, por qëllimi im është të vazhdoj.

Unë kam përmendur disa herë rëndësinë e këtij rrjeti, rëndësinë e rolit të bashkive, dhe në mënyrë të veçantë, rolit të Njësive të BE-së, në procesin e integrimit evropian. Që nga 25 marsi, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian kanë ndryshuar. Ka nisur një fazë e re tashmë, një fazë të cilën Shqipëria duhet ta marrë seriozisht, si dhe të angazhohet me burimet e duhura.

E kam thënë shumë shpesh, 70 përqind e legjislacionit të Bashkimit Evropian, që është tejet i ngarkuar, sa i përket numrit të ligjeve dhe rregulloreve, duhet që të zbatohet nga qeverisja lokale.

Kështu që, dy vitet e ardhshme të mandatit tim, do t’ia kushtoj ndihmës dhe mbështetjes për Z. Mazi, për qeverinë qendrore, por edhe qeverinë lokale, që ato të angazhohen në mënyrën e duhur në marrëdhëniet me Brukselin.

Ne e bëjmë këtë në një nivel politik, por e bëjmë edhe në një nivel financiar. Dje, gjatë konferencës së shtypit që mbajta në Vlorë, unë përmenda dimensionin e asistencës financiare që Bashkimi Evropian po i akordon Shqipërisë, është më shumë se 100 milion Euro në vit, dhe në total 1.5 miliardë Euro në 14 vitet e fundit, shtoji kësaj dhe atë çfarë po bëjmë në ndihmën për Covid dhe pasojat e tërmetit.

Sa u përket bashkive, ne po lançojmë tani një seri publikimesh të Granteve për zhvillimin social-ekonomik, njëri prej tyre u lançua jo më larg se javën që kaloi për 43 bashki, për një total prej 3.5 milion Eurosh. Dhe kjo është vetëm pjesa e parë e thirrjeve që do të vijnë, në fushën e qeverisjes së mirë, përfshirjen sociale dhe ekonominë.

Pas takimit tonë të mëparshëm, që për mua ishte tejet i dobishëm, ne bëmë shumë përpjekje në lidhje me rrjetin e koordinatorëve dhe nxitëm fort, dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dërgoi një letër, ndaj të cilës pati një reagim të mirë nga ana e bashkive.

Tani ne kemi vetëm pesë bashki, të cilat nuk e kanë ngritur formalisht Njësinë e Integrimit Evropian. Nuk dua të përmend emra, pasi ato që nuk e kanë bërë ende e dinë se kush janë, por mendoj që ato pesë bashki duhet të kapin ritmin e bashkive të tjera shumë shpejt.

Siç pata kënaqësinë ta shoh dje, gjatë vizitave të mia në Vlorë dhe në Belsh, pashë dy Njësi të mirëpajisura, të vendosura në vendin e duhur brenda bashkive, në hyrje të institucionit, shumë mirë të organizuara pavarësisht madhësisë së njësisë vendore, por me një vetëdijësim të qartë të rolit të Njësisë, kjo edhe sa i përket komunikimit. Ndaj dua të përgëzoj dy koordinatorët, por edhe në përgjithësi cilindo prej jush, sepse kam parë që kjo po ndodh kudo.

Komunikimi i asaj që Bashkimi Evropian bën për Shqipërinë, është shumë i rëndësishëm tani. Kjo është arsye përse dje, ne filluam fushatën “Evropa është këtu”. Ne do ta vazhdojmë këtë fushatë për 6 muaj, duke folur për transportin, infrastrukturën, bujqësinë, mjedisin, ekonominë.

Evropa është tashmë këtu, çdo ditë, në Shqipëri. Kështu që integrimi është duke ndodhur tashmë. Ndaj ne duhet të komunikojmë për rolin tuaj dhe të komunikojmë atë që tashmë është duke ndodhur.

Në fund dua të them dy fjalë, duke patur parasysh edhe praninë e Ambasadorit Mazi, i cili ka krijuar tashmë ekipin e tij të negociatave, dhe ne kemi një anëtare të pranishme sot sa i përket Kapitullit 24, Zv.Ministren Kuko, por është e rëndësishme për të që të kuptojë se si të koordinojë punën e ekipit negociues me qeverisjen lokale.

Sigurisht që roli i Kryetarit të Bashkisë është thelbësor, nga këndvështrimi i Shqipërisë, pra nuk jam duke kërkuar që koordinatorët të kapërcejnë rolin e Kryetarit të Bashkisë. Por, ju keni tani një rol për të luajtur, që unë mendoj se ambasadori mund ta vlerësojë në mënyrë pozitive.

Pra, si të krijohet marrëdhënia mes strukturës qendrore dhe strukturës lokale, për vitet që do të vijnë.

Edhe një herë, është kënaqësi të shoh fytyra që tashmë më janë bërë familjare, nga vende të ndryshme të Shqipërisë, dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Eshtë shumë e rëndësishme që ne jemi një ekip dhe ne punojmë së bashku dhe ne jemi këtu të dëgjojmë edhe problemet tuaja, dhe të diskutojmë se si mund të përpiqemi t’i ndreqim ato.