Përmbyllet trajnimi i parë 2-ditor mbi "Rolin e Bashkive në Procesin e Integrimit Evropian", me grupin e parë të përfaqësuesve të bashkive, Sekretarë të Përgjithshëm dhe Nënkryetarë.
Trajnimet që vazhdojnë dhe në ditët në vijim, po organizohen në bashkëpunim të ngushtë me ASPA-n.
Përfaqësuesja e ASPA, Znj. Mimoza Hajdari theksoi rëndësinë e këtyre trajnimeve për trupën drejtuese të bashkive, sidomos ekipeve të reja, për të përvetësuar rolin e tyre në procesin e integrimit dhe rëndësinë që ka angazhimi i tyre.
Trajnimi u kombinua me ekspertët lokalë dhe ekspertizën ndërkombëtare.
Znj. Aida Gugu prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë dhe rolin e bashkive në procesin e integrimit, ndërkohë që Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e Projektit "Bashkitë për në Evropë" prezantoi gjetjet nga raporti i performancës së bashkive për vitin 2022, një proces i përvitshëm, me rëndësi të madhe për njësitë e qeverisjes vendore, dhe ecurinë e tyre. Mendime që u ndanë edhe nga ekspertja e çështjeve lokale dhe drejtuesja e SHAV, Znj. Adelina Farrici.
Më tej, ekspertja e BE-së, Znj. Maja Hraniloviç shpjegoi në praktikë parimet, objektivat e zhvillimit rajonal, rolin dhe funksionet e përfituesve dhe problematikat e kapaciteteve absorbuese.
Prezantimet u kombinuan me diskutime e pyetje nga pjesëmarrësit, dhe u pasua me eksperiencën kroate në ngritjen dhe funksionimin e strukturave të integrimit evropian, si dhe sfidave në përthithjen e fondeve të BE-së.