Mazi: Integrimi, bashkitë duhet të jenë të vetëdijshme, për detyrat që i presin në të ardhmen

Kryenegociatori i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ambasadori Zef Mazi, u është drejtuar stafeve të Njësive të Integrimit: “Nëse i gjithë vendi do të punojë në harmoni dhe me një koordinim të mirë dhe në mënyrë strategjike së bashku, jam i sigurt që do të bëjmë progres. Evropa është këtu dhe ne do të shkojmë drejt tyre. Sa më shpejt, aq më mirë!”

 

Më lejoni fillimisht të falënderoj të gjithë të pranishmit, duke filluar nga Ambasadori Soreca, ju Jolanda, Zv. Ministren Kuko, dhe gjithë të tjerët, shoh që janë rreth 90 persona nga i gjithë vendi që i janë bashkuar këtij rrjeti. Nuk njoh shumicën tuaj, por dua të shpreh falënderimin tim për të gjithë stafet e Njësive të Integrimit Evropian, për faktin që janë të pranishëm sot dhe që shprehin pikëpamjet e tyre.

Që në takimin tim të parë me Ambasadorin Soreca, unë i kam përmendur atij rëndësinë e qeverisjes lokale në implementimin e kushteve të Acquis, kur të vijë koha. Por, nëse ne presim që të vijë koha dhe nuk përgatitemi, atëherë do të ndeshemi me një mur. Kështu që, instikti dhe njohuritë e mia në lidhje me këtë çështje më thonë se 70 përqind, ndoshta më shumë, do të zbatohet thjesht, në mënyrë strikte dhe të drejtpërdrejtë nga Bashkitë.

Eshtë shumë e rëndësishme që të gjitha këto bashki të jenë të vetëdijshme, që të gjithë kryetarët e bashkive të jenë të vetëdijshëm për këto detyrime, për këto detyra që kanë në lidhje me implementimin dhe me të cilat do të përballen në të ardhmen.

Kështu që, do të jetë prerogativa ime që të filloj të vizitoj bashkitë njëra pas tjetrës. Sot është dita ime e 23 në detyrë dhe unë nuk mund të isha kudo dhe në të njëjtën kohë, por kur dëgjova Ambasadorin Soreca që tha se ishte në Vlorë dhe në Belsh, mund të them që e kam zili për faktin që ka lëvizur në këto qytete. Ajo që dua të them, është se mezi pres që t’i bashkohem Ambasadorit në vizitat që ai do të zhvillojë në bashkitë e Shqipërisë dhe të vazhdojmë me fushatën që nisi dje (“Evropa është këtu”). Për të dhënë mesazhin e duhur, se është shumë e rëndësishme për të gjithë kryetarët e bashkive, që të jenë tërësisht të vetëdijshëm për detyrat e vështira me të cilat do i përballë e nesërmja, dhe për të cilat duhet të jenë shumë mirë të përgatitur sot.

Duke filluar me krijimin e Njësive të Integrimit Evropian. Me trainimin e njerëzve që ata do të punësojnë në këto njësi. Me krijimin e mundësive për ta, që të punojnë normalisht, në një zyrë që do të ketë pajisjet, që do të ketë konektivitetin, shumë të rëndësishme për BE sot dhe do të jenë edhe më shumë në të ardhmen.

Duhet të jeni të vetëdijshëm se çfarëdo që ju të bëni, do të jetë në dobi të vendit. Dhe kjo ka shumë rëndësi.

Nëse i gjithë vendi do të punojë në harmoni dhe me një koordinim të mirë dhe në mënyrë strategjike së bashku, jam i sigurt që do të bëjmë progres. Vura re mantrën e fushatës: “Evropa është këtu”. Po, Evropa është këtu, por ne nuk jemi atje. Duket sikur është një rrugë njëdrejtimëshe, por jo, ne duhet që ta bëjmë një rrugë dydrejtimëshe. Evropa është këtu dhe ne do të shkojmë drejt tyre. Sa më shpejt, aq më mirë! Por që të ecim më shpejt, ne duhet të jemi të përgatitur dhe të punojmë fort. Duhet të gërmojmë më shumë në thelbin e çështjeve. Nëse për shembull, nëse do të ketë një moment përparimi të mëtejshëm në negociatat për Kapitullin e Peshkimit – fjala vjen – kjo nuk do të implementohet thjesht në Ministrinë e Bujqësisë, por do të implementohet në Velipojë, në Lezhë, në Shëngjin, në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, pra në qytetet bregdetare. Ndaj ne duhet t’u qasemi këtyre bashkive, të sigurohemi që kjo çështje kuptohet plotësisht, që vetëdijësimi është absolutisht i lartë, dhe mbështetja është maksimale. Dhe jam i sigurit se gradualisht do të ecim drejt atij objektivi.

Dua të falënderoj gjithashtu Ambasadorin Soreca për disponueshmërinë e tij për të më takuar disa herë, ne kemi vendosur tashmë një marrëdhënie pune të qëndrueshme dhe do të vazhdojmë. Atmosfera e marrëdhënieve tona është absolutisht e ngrohtë. Dhe ne duhet që ta

shfrytëzojmë këtë ngrohtësi nga ana e delegacionit të Bashkimit Evropian këtu, ashtu sikurse dhe nga Komisioni dhe shtetet anëtare.

Sigurisht që negociatat do të zgjasin. Ato do të jenë të vështira. Siç e thotë një këngë, “Do të jetë një rrugë e gjatë gjarpërushe”. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur që ta përshkojmë këtë rrugë.

Një fillim i mirë shenjon një fund të mirë. Dhe mendoj që është shumë e rëndësishme që ky projekt, “Bashkitë për në Evropë” – dhe më lejoni të them, Znj. Trebicka, se kam lexuar me kujdes raportin tuaj, kam bërë shumë nënvizime, sidomos tek pjesa e realizimeve.

Ndonëse emrat e pesë bashkive që ende nuk e kanë ngritur Njësinë e Integrimit Evropian nuk përmenden, dua të mbështes fort atë që tha Ambasadori Soreca, se këto njësi duhet të ngrihen menjëherë.

Pas kësaj ne do të kemi një panoramë të plotë dhe do të na duhet të bëjmë një plan. Unë do të konsultohem me Ministrinë e Brendshme, me Delegacionin e BE, me ambasadorin Soreca, e pas kësaj ne do të bëjmë një plan dhe do të fillojmë të vizitojmë bashkitë.

Me këtë përshëndetje, doja t’ju theksoja dhe një herë disponueshmërinë time të plotë, mbështetjen e plotë nga kjo zyrë, për ta bërë këtë proces që të ecë përpara në një mënyrë shumë pozitive.